“Kriza e Elbasanit po zgjat shumë”, Dosti: Me skemën e re, jo skuadra që “flenë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2019 | 17:45

“Kriza e Elbasanit po zgjat shumë”, Dosti: Me skemën e re, jo skuadra që “flenë”

Pas pak ditësh nis Su perliga, në shtator edhe Kategoria e Parë, me formulën e ndryshuar për këtë sezon. Për problemet më të mëdha të futbollit shqiptar flet në një intervistë për “Panorama Sport” ish-futbollisti dhe trajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti. Ai gjykon se formula e re e kampionatit do të rritë rivalitetin, ndërsa financat dhe puna me akademitë, sipas tij, janë problemet më të mëdha të futbollit shqiptar. Për Elbasanin Dosti ka shpresë se do të ndryshojë.

Muharrem-Dosti-Elbasani-490x326

Dosti, me çfarë jeni duke u marrë aktualisht?

Jam duke stërvitur portierët në akademinë e klubit të Elbasanit, një punë që e bëj me pasion. Ka qenë një periudhë qetësie, në fakt, këto dy vite, por shumë shpejt do të rikthehem edhe si trajner i parë.

Starton pas pak ditësh Superliga, më pas Kategoria e Parë. Si i shihni klubet shqiptare në këtë prag sezoni?

Po shohim që klubet, kush më shumë e kush më pak, kanë probleme para fillimit të kampionatit. Disa prej tyre i kanë nisur përgatitjet shumë vonë dhe mund të kenë pasoja në javët e para. Megjithatë, është një situatë e njohur në futbollin shqiptar, çdo sezon nis me probleme.

Pritet të miratohet ligji i sportit që shihet si një shpëtim për futbollin shqiptar. Po ju, si mendoni?

Mendoj se është një ligj i vonuar, duhej bërë më parë. Në mos shpëtim, është pa dyshim lehtësim për sportin. Modeli i Kosovës është i duhuri mendoj, por duhet të miratohet njëherë pastaj të shohim efektet që do të ketë. Personalisht, them se do t’i japë frymëmarrje futbollit.

Këtë vit ka ndryshuar formula e kampionatit në të gjitha nivelet…

E shoh pozitivisht ndryshimin e formulës, edhe pse asnjëherë nuk mund të gjejmë një formulë “magjike” për futbollin shqiptar. Tani ka më shumë skuadra që do të kenë një objektiv dhe zvogëlohet numri i atyre që janë në mesin e tabelës dhe nuk luftojnë për asgjë. Ky ka qenë problem sezonet e fundit, por me formulën e re eliminohet disi. Normalisht, kjo gjë do të rritë edhe cilësinë dhe nuk do t’i vërë në “gjumë” skuadrat në javët e fundit.

Sipas jush, cilat janë problemet më të mëdha të klubeve shqiptare?

Mendoj se janë financat dhe akademia. Sot flasim për një futboll profesionist dhe nuk mund të diskutohet ana financiare. Përditë njihemi me probleme të këtij aspekti që kanë klubet shqiptare dhe shpresoj të marrë fund njëherë e mirë. Akademitë duhen forcuar, sepse duhet të përbëjnë bazën e një klubi. Aty nis gjithçka dhe më vjen keq që janë lënë pas dore vitet e fundit nga klubet shqiptare. Shkojmë në atë pikë sa ndërrojmë gjithë ekipin, duke shtuar koston financiare. Një akademi e shëndoshë përkthehet edhe në një klub të shëndoshë.

Çfarë po ndodh me Elbasanin?

Është periudhë e vështirë, që po zgjat më shumë nga sa mendohej. Megjithatë, besoj se bëhet fjalë për një situatë provizore dhe Elbasani do të rikthehet aty ku i takon, në Superiore. E meriton ky qytet ta ketë skuadrën në nivele të larta, por, ashtu si çdo klub në botë, edhe Elbasani nuk mund të mos kalonte një moment krize.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"