Kritikë televizive, kur sundon “kundërrevolucioni”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2022 | 18:33

Kritikë televizive, kur sundon “kundërrevolucioni”…

OPINION NGA BESNIK DIZDARI
Them “kritikë televizive”, për të mos harruar se Shqipëria është ndër të rrallat vende në Europë ku mungon kritika televizive.

Besnik-Dizdari

Të dielën e 11 shtatorit 2022, më ndodhi që duke parë faqet e para të tri gazetave sportive të Italisë, që janë ndër më të dëgjuarat në botë, ato e kishin njoftuar me vetëm tre rreshta fitoren e Italisë 3-0 në volejboll ndaj Sllovenisë, edhe pse kjo fitore e kishte ngjitur atë në finalet e Kampionatit Botëror. Deri aq keq saqë njoftimi mezi lexohej. Dhe në 99 për qind të sipërfaqes së tyre, faqet e para merreshin me futbollin e Serisë A, që dihet është i tyri, gjithsesi.

Ky pra është një lloj “kundërrevolucioni europian”, siç po guxoj ta quaj, që ka ndodhur në gazetarinë e sotme sportive. Reziston në larmi shumë sportive “L’Equipe” e Parisit, gjithashtu ndër të parat në botë, e cila një herë pati vënë në gjithë faqen e parë kalin, jo kalorësin e tij për një fitore në hipizëm. Apo dhe “Marca” e Spanjës, e cila faqen e parë, numrin e asaj të diele, e kishte mbushur me një basketbollist. E kësisoj, tejet të baraspeshuar në universalitetin sportiv janë edhe “Sovjetskij Sport” e Rusisë, po dhe “Sportski Zurnal” e Serbisë. Ka pra edhe kështu. Pa harruar televizionin “Match”, po të Rusisë, tejet universal në larminë e transmetimeve të tij shumësportëshe. E po kështu, nuk harroj larminë shumësportëshe të “RAI Sport” të Italisë.

E megjithatë, të lind pyetja: përse ka ndodhur ky që e po quaj “kundërrevolucion”?

Studiuesit e gazetarisë europiane fajin ia vënë pushtetit pushtues të televizionit, madje të pamëshirshëm, natyrisht edhe fort komercial.

Prej kohësh ky “kundërrevolucion” ka mbërritur edhe në Shqipëri, por me një veçori të veten. Veçori që na thotë se futbolli që sundon në TV-të shqiptare nuk është ai kombëtari, por më fort ai i kampionateve të shteteve të tjera, deri aty saqë mbulon ndoshta deri në 80 për qind të gazetarisë televizive sportive “shqiptare”, së cilës nuk di a duhet ta quajmë plotësisht shqiptare.

Po a kanë bërë ndonjë sondazh për të hulumtuar, nëse vërtet transmetimi televiziv i 5 a 6 ndeshjeve radhazi të skuadrave të kampionateve të shteteve të tjera – disa krejt të zakonshme – ndiqen nga telespektatorët e Shqipërisë? Prej ku, natyrisht, mandej mund të dilet në probleme të tjera. Bie fjala, nëse këto televizione i meritojnë apo jo lejet për të ekzistuar kaq gjerësisht, teksa kanë rënë nën ndikimin e “kundërrevolucionit” në fjalë. Ndikim që ka mbërritur deri aty, saqë sapo shkarkohet një trajner futbolli e rrëmbejnë në TV si analist. Ose e kundërta: sa duhet marrë një trajner i ri pëlqejnë atë që është “analist”, edhe pse, i shkarkuar pak më parë si trajner edhe ai! Edhe në këtë rast duket që vendos po ai: sugjestioni i “kundërrevolucionit” televiziv, i cili po sundon pa mëshirë edhe ndër ne. Ndonëse ndër ne më keq se askund tjetër.

Shqipëria televizive është i vetmi vend në Europë që thërret në studio deri katër “analistë” për një ndeshje, edhe të vetme madje, të një shteti tjetër. Në një kohë që do të mjaftonte vetëm një. E edhe ky mundësisht një njohës i zoti e i një përvoje të madhe të specialitetit në fjalë, si për shembull Sulejman Mema, po natyrisht jo vetëm ky. Mirëpo, për fat apo për çudi, sundon gjithnjë “katërshja” e paprekshme. Për të komentuar asisoj, me “kompetencë”, në këtë rast, “filoitaliane”, krejt artificiale, bie fjala, ndeshjet Kremoneze – Napoli apo Roma – Leçe, të cilat absolutisht, po, po absolutisht, nuk kanë punë me Shqipërinë!

Dhe më kujtohet Anton Mazrreku i paharrueshëm, shembullin e të cilit do ta përsëris edhe këtu. Andej kah viti 1940, çdo të mërkurë ai shkruante në gazetën “Fashizmi” një koment plot shije e kompetencë të kampionatit italian. Çka ishte krejt normale kur mendoje dy fakte: që futbolli i Italisë ishte kampion i botës në fuqi dhe që Shqipëria ishte pjesë e Mbretërisë Italiane, dhe kishte për mbret të sajin Vittorio Emanuele III – “Re d’Italia e d’Albania, Imperatore d’Etiopia”. Mirëpo, mandej, Mazrrekun, si gjithnjë e thërriste zëri atdhetar i të parëve dhe të nesërmen ndodhte që të botonte një faqe gazetë deri me rezultatet e kampionatit të atletikës së gjimnazit të Shkodrës apo të Tregtares së Vlorës!

Ndërkaq, sot ndër ne, na ndodh që teksa një televizioni i është dhënë e drejta të ketë 6 a 7 kanale, gjatë gjithë javës nja 4 prej tyre nën tingujt e një muzike monotone, shërbejnë vetëm për të njoftuar kryesisht oraret e transmetimeve të ndeshjeve të kampionateve të shteteve të tjera!

E kjo dukuri është pjesë e monokulturës sportive televizive e stilit shqiptar.

Dhe ja: si ka mundësi që televizionet shqiptare nuk transmetuan Kampionatin Europian të Atletikës së Lehtë, ku shpërtheu edhe kampionia e parë e Europës për Shqipërinë, Luiza Gega? Si ka mundësi që televizionet shqiptare nuk transmetuan Kampionatin Botëror të Volejbollit, kur volejbolli është një nga sportet më popullore dhe që në Shqipëri ka qenë ndër më të zhvilluarit. 60 vjet më parë, më 1962-shin, Shqipëria pati arritur të marrë pjesë me dinjitet deri në finalet e Kampionatit Botëror të Volejbollit, ngjarje kjo që besoj se ia vlen ta pasqyrojmë në një nga shkrimet e ardhshme. Dhe sot thuajse aspak transmetimet e volejbollit ndërkombëtar në Shqipëri, ajo që pati mbërritur deri nja tri herë kreun e Europës për klubet. Tash, me ndonjë përjashtim të rrallë, krejt spontan, diçka kemi në “RTSH” – ndonëse dashnor i madh ky, i garave të makinave apo motorëve, edhe pse këto “sporte” nuk zhvillohen në Shqipëri.

Shqipëria ka përqafuar kështu për të keq, “kundërrevolucionin e gazetarisë europiane”, me të cilin shumëkush nuk është në një mendje as në Europë. Ndonëse europianët largpamës, aq sa ata mund të kenë mbetur, edhe në kushte kësisoj “kundërrevolucionesh”, ia arrijnë t’u japin vend sporteve të tjera. Jo vetëm përmes kanaleve të tjera të shumta që i shfrytëzojnë, jo për orare ndeshjesh si në Shqipëri, por për t’i mbushur me sporte të tjera. Unë për vete e pashë përfundimin e ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Volejbollit te “RAI 2”, që dihet, është një televizion atdhetar i Italisë. Kur nuk di a na ka mbetur ndonjë televizion atdhetar në Shqipëri.

Dhe ju lutem, më thoni: a keni parë në ndonjë televizion emisione që të trajtojnë një problematikë të vetme për gjendjen e sporteve në Shqipëri, ndërkohë që disa prej të cilëve po rrëshqasin keqas në rënie të pandalshme? Vërtet, nuk ma kishte marrë mendja se do të vinte një kohë që dy nga sportet më popullore në Shqipëri që janë volejbolli e basketbolli, të zhduken kësisoj nga universaliteti i kulturës sportive, siç po ndodh sot.

Dhe vetvetiu shkoj tek AMA, te Ministria e Arsimit dhe Sporteve, te ajo e Kulturës, te KOKSH-i, e deri te mendimi universal sportiv në tërësi. Mandej shkoj deri te shteti, i cili për kulturën sportive të tërë, as që do t’ia dijë. Ndonëse ai e di fort mirë që në ekrane televizive publike më shumë se volejbolli, basketbolli, atletika apo noti, ushton moto e automobilizmi. Me sa duket, paguajnë për to e jo për volejbollin, basketbollin e atletikën, që përveç të tjerave, ne i kemi edhe sporte të shkollës, më saktë të edukimit shkollor të kulturës fizike!…

Nuk po guxoj ndërkaq, të mbërrij te qitja që i ka dhënë Shqipërisë kampionet e para të Europës, edhe pse të duket se ajo nuk ekziston askund as edhe për një lajm të vetëm. Nuk po shkoj mandej te shahu – “sporti i mendjes”, edhe pse Shqipëria sapo mori pjesë në Olimpiadën Botërore. Brezi ynë mban mend shembullin e televizionit jugosllav të shahut të Gligoriçit me shokë, që transmetonte në TV deri një orë ndeshje shahu – çka pat filluar ta bënte paksa edhe Shqipëria.

Tash, nuk më mbetet gjë tjetër, veçse ta mbyll me këtë mendim analitik të Karl Popper-it, i cili dihet se sa i madh është për këto punë. Thotë Popper:

“…Unë propozoj pra, një organizëm të ngjashëm të krijuar prej shtetit, për të gjithë ata që merren me prodhimin televiziv. Kushdo që është i lidhur me prodhimin televiziv duhet të ketë një patentë, një licencë, një dokument të ushtrimit të profesionit, që mund t’i hiqet përjetë sa herë që veprohet në kundërshtim me parime të caktuara. Kjo është rruga përmes së cilës unë do të dëshiroja, që më së fundi, të vihet një disiplinim në këtë fushë. Kushdo që bën televizion, duhet domosdoshmërish të jetë i organizuar, duke pasur një patentë. Dhe cilido që bën një diçka që nuk duhet bërë sipas rregullave të organizmit në fjalë, dhe mbi bazën e gjykimit të këtij organizmi, mund ta humbasë këtë patentë”.

Shumë dramatik e i rreptë ky propozim i Popper-it!…

Sidoqoftë, ai vlen fort përkundër sundimit të pamëshirshëm të “kundërrevolucionit” të sotëm, të cilin po e kopjon shumë keq Shqipëria ksenomane. Jo ajo atdhetare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"