Kritikat nga Turbina, Luftëtari “kunj” cërrikasve: I hapët portën Apolonisë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 20:29

Kritikat nga Turbina, Luftëtari “kunj” cërrikasve: I hapët portën Apolonisë!

Neritan Novi ka mbetur i befasuar nga deklarata e trajnerit Ergi Lubani, pas humbjes 2-1 në Gjirokastër, ku sipas të parit të pankinës cërrikase, Luftëtari është skuadër e nivelit amator.

neritan novi

“Unë nuk e imagjinoj se si ky trajner la gjysmën e ekipit jashtë formacionit në ndeshjen me Apoloninë dhe provoi të motivonte të tijtë në Gjirokastër. Që këtu ka gabuar. Krenar do ishte, nëse s’do t’i hapte portën Apolonisë në Cërrik”, deklaroi fillimisht Novi për “Panorama Sport”.

KUNDËRPËRGJIGJA – Ndërkohë që Luftëtari do ballafaqohet me Apoloninë për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, Novi më tej thotë: “Ju vërtetë jeni dhe do të mbeteni të vegjël në futboll dhe me mentalitetin që keni në futboll. S’mund të mateni me futbollin gjirokastrit. Një trajner si Lubani nuk mund të vërë në peshore emrin e stafit teknik të Luftëtarit. Një trajner që sapo ka nisur karrierën e tij, është mirë të shohë punën e vet profesionale dhe jo të paragjykojë punën e kolegëve. Kur fiton në Cërrik, duhet të mendohesh mirë kur del nga dhomat e zhveshjes. Në Gjirokastër, s’ndodh kështu. Këtu është diferenca mes nesh dhe ekipeve të nivelit si Turbina. Luftëtari s’është bërë për gjynah. Hallet tona s’kanë mbetur për t’i zgjidhur dhe për t’i qarë Lubani. Çdo trajner të bëjë punën e tij dhe mos të injorojë atë që bëjnë kolegët”, përfundoi Novi.

BLUZINJTË – Pavarësisht reshjeve të shiut, gjirokastritët nën drejtimin e dyshes Maranatas-Novi, vijuan përgatitjet në fushën sportive “Lefter Millo” për ndeshjen e nesërme me Skënderbeun në Korçë. Një përballje më shumë se e vështirë, nisur nga pozitat e gjirokastritëve në klasifikim dhe ecurisë së korçarëve së fundmi. Luftëtari do të udhëtojë drejt Korçës me mungesën e portierit Panajotis Paiteris, i cili është i dëmtuar, dhe dy të rinjve Lika e Qato.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"