Kritikat nga presidenti Noka, reagon portieri Bajri: U ndodh edhe më të mirëve në botë, pranoj çdo ndëshkim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 21:15

Kritikat nga presidenti Noka, reagon portieri Bajri: U ndodh edhe më të mirëve në botë, pranoj çdo ndëshkim

Besëlidhja nisi dje përgatitjet për dy ndeshjet e kësaj jave, me Korabin në Kupë dhe në kampionat me Veleçikun.

samet bajri

Barazimi i të shtunës me përmbysje nga ana e miqve të Egnatias e renditi Besëlidhjen në vend të katërt, duke bërë që të mendohet seriozisht për të ardhmen. Edhe dje, para nisjes së stërvitjes, skuadra iu nënshtrua analizës javore që ishte më e gjatë se zakonisht, diçka normale pas një rezultati zhgënjyes në shtëpi. Për barazimin ndaj Egnatias, fatura i shkoi portierit Samet Bajri, pasi dy golat u shënuan në një kohë shumë të shkurtër, për 5 minuta.

Ishte presidenti Gjoka që fajësoi portierin Bajri, i cili për “Panorama Sport” ka theksuar: “Ai barazim na ka mërzitur të gjithëve, por këtë e kam ndierë më shumë unë, pasi pjesa fundore në pësimin e golit është porta. Loja ishte plotësisht nën kontrollin tonë dhe u duk se do të fitonim, por në sport dhe veçanërisht në futboll, ndodhin të papritura dramatike edhe në ekipe shumë të mëdha. Golat e pësuar nuk erdhën se unë isha inekzistent, po e kontrolloja lojën.

Goli i parë ishte i tillë që edhe po të isha në vijën fatale, do të ishte pothuajse e pamundur evitimi i tij. Topi kishte marrë trajektore parabole dhe në shumicën e rasteve këta topa përfundojnë gol. Pa dyshim që në pësimin e golave kam pjesën time të fajit, kjo as që duhet të diskutohet, por, ashtu siç e theksova edhe më lart, kjo u ka ngjarë edhe portierëve më të mirë të botës, madje kanë humbur trofe botërorë. Jam i gatshëm të pranoj çdo lloj ndëshkimi deri në caktimin portier i tretë, por si në portë, si në stol, do të punoj fort në stërvitje për të eliminuar sa më shumë gabimet që mund të kem bërë deri tani”. Presidenti Noka e fajësoi direkt portierin e skuadrës së tij, por nuk përmendi asnjë masë ndëshkuese për të. Ai pohoi gjithashtu se barazimi me Egnatian nuk duhet bërë dramë, pasi është fillimi i kampionatit.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"