“Kritikat ndaj nesh janë të ekzagjeruara”, Zaneti: Bisedova me Mesin për ta sjellë tek Interi, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2023 | 11:50

“Kritikat ndaj nesh janë të ekzagjeruara”, Zaneti: Bisedova me Mesin për ta sjellë tek Interi, por…

Havier Zaneti po përpiqet ta udhëheqë Interin jashtë fushe me përkushtimin e tij, tashmë në rolin e zëvendëspresidentit.

16708204237773

Në një intervistë për “Dazn”, ish-kapiteni ka replikuar mbi akuzat në drejtim të rendimentit të Interit në vitet e fundit, pa lënë pa përmendur çështjet më të nxehta të momentit të ambientit zikaltër, nga derbi te Shkriniar. Në fund argjentinasi foli edhe për bashkëkombësit Mesi e Maradona duke zbuluar edhe tentativën për të sjellë në Milano “Pleshtin”.

Çfarë ndikimi ka tek e hëna dhe te java një derbi i fituar?

Java dhe e hëna ngjajnë ndryshe pas triumfit në një sfidë të tillë, fitorja e një derbi ka një shije të veçantë, mbi të gjitha sepse e fituam me meritë.

A ka ndonjë mister tek Interi? Në disa ndeshje duket shumë i fortë, por në ndeshje të tjera zhduket.

Sigurisht që mund të kishim disa pikë më shumë, por është pjesë e një rrugëtimi që kjo skuadër po ndjek dhe ka pasur vazhdimësi. Rëniet mund të ndodhin për më tepër duke marrë parasysh se sa i ngjeshur është kalendari. Unë shoh një ekip që është protagonist, i cili gjithmonë dëshiron të luajë dhe di të reagojë edhe kur është në vështirësi. Kështu ka ndodhur që nga viti i parë i Kontes dhe kështu po vazhdon në të gjitha sezonet e fundit. Habitem kur shoh kritika të ekzagjeruara ndaj një skuadre që po i bën gjërat në mënyrën më të mirë të mundshme. Mund të përmirësohemi, por të mos harrojmë që nga ana tjetër Napoli po bën diçka të jashtëzakonshme.

Çfarë mendoni për Spaletin?

Ka shumë nga karakteri i Luçianos në këtë Napoli. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer edhe tek Interi dhe është nga ata trajnerë që lë gjurmë në të gjitha ekipet ku shkon.

Vlen për ju të mbërrini në vendin e dytë në një kampionat të tillë?

Ne duhet të bëjmë më të mirën që mundemi duke nisur nga ky moment e deri në fund. Kemi ende përpara Champions League dhe gjysmëfinalen e Kupës së Italisë me Juventusin, duhet të bëjmë maksimumin tonë në të gjitha.

Kë do të zgjidhnit si simbol të Interit këtë sezon?

Do t’i kërkoj Darmianit fanellën për ta vendosur në muzeun tim. Mateo është një lojtar i heshtur, i qetë, në shërbim të skuadrës. Ai jep gjithmonë çdo gjë që ka, është një djalë serioz dhe profesionist. Është dikush që bën diferencën në çdo grup dhe në çdo dhomë zhveshjeje.

Interi dukej anti-Napoli, por cila është arsyeja e diferencës?

Diferenca ka ardhur për shkak të vazhdimësisë, jemi të keqardhur për faktin që kemi lënë disa pikë gjatë rrugës. Kampionati është konkurrues, ka shumë ndeshje. Napoli nuk ka gabuar, ne e kemi parë sa e vështirë është t’i mposhtësh, por pavarësisht ndeshjes direkte, ata kanë qenë të pagabueshëm.

E prisnit në derbi një Milan të tillë?

Dëgjova lajmet para ndeshjes, më pas e pashë atë që ndodhi gjatë ndeshjes. Por është edhe merita e Interit, i cili e tregoi që në minutën e parë se dëshironte ta fitonte ndeshjen. Milani është gjithmonë një ekip që duhet të respektohet, pastaj ka momente si këto që ndodhin. I njoh Piolin dhe Maldinin, ata kanë personalitetin e duhur për ta bërë Milanin për të dalë nga kjo situatë.

A mund të jetë Lautaro kapiteni i vërtetë i skuadrës?

Sinqerisht, jam shumë i lumtur me karrierën e tij këtu. Performanca e tij është gjithmonë në rritje, tani është një siguri edhe për kombëtaren e Argjentinës. Është i rëndësishëm për Interin dhe e tregon këtë sa herë që del në fushë. Është, përveçse një djalosh bujar, edhe dikush që nuk dëshiron të humbasë asnjëherë dhe këtë e ka treguar edhe në derbi. Kishte të drejtë kur tha që jetohej sfida si në Argjentinë për intensitetin me të cilin përjetohet sfida.

NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"