Kritikat, Mark Iuliano snobon Starovën: Kush është ky?! I thoni sa trofe kam fituar unë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2017 | 9:47

Kritikat, Mark Iuliano snobon Starovën: Kush është ky?! I thoni sa trofe kam fituar unë

Trajneri Mark Iuliano, pas miqësores me Pelisterin, nuk ka dashur të flasë për mediat, por u desh ndë rhyrja e drejtorit sportiv, Antonelo Preiti, që t’i ndryshojë mendjen 44-vjeçarit. Iuliano u shpreh i kënaqur nga loja e ekipit në miqësore dhe nga ndeshja në ndeshje ai shikon përmirësime, ndaj shpreson që reagimi i madh të vijë në mesjavë ndaj Teutës.

Iuliano

Në fund, Iuliano është pyetur edhe për kritikat e ish-trajnerit Sulejman Starova, i cili e quan të paaftë. Por italiani e ka injoruar rastin në fjalë, duke bërë të paditurin dhe pyeste se kush është Starova dhe çfarë ka fituar.

Starova dhe Iuliano

Ai i kujton “Bobit” titujt e tij, ku përmend edhe Champions-in, trofe të cilin Iuliano nuk e ka fituar si lojtar.

Çfarë mesazhi mori Iuliano nga kjo ndeshje miqësore?

Pashë një paraqitje të mirë të të gjithë lojtarëve. Skuadra ka gjetur qetësinë dhe po përpiqemi të gjejmë ritmin. Më vjen mirë, pasi skuadra po rritet dita-ditës. Ekipi arrin deri në 70 metra, por kemi vështirësi të shënojmë gola. Duhet të përmirësojmë metrat e fundit në fushë dhe të gjejmë golin.

E rëndësishme është që krijojmë raste. Do të shqetësohesha më shumë nëse skuadra nuk do të shkonte deri aty. Po punojmë shumë që të fitojmë më shumë cilësi. Kemi ndryshuar programin stërvitor dhe po punojmë në këtë aspekt. Kjo do t’u bëjë mirë edhe lojtarëve të rinj.

A ju shërbeu kjo ndeshje për takimin e radhës ndaj Teutës?

Gjithçka që po bëjmë është në funksion të Teutës. Pashë lojtarët me shumë dëshirë në fushë si Kalari dhe Malota. Vila po rikthehet në formën më të mirë. Xhixhiua po rritet. Më pëlqen që lojtarët po rriten. Nuk munda të aktivizoj Asanin, pasi luajti me Partizanin B. Ekipi ka edhe Basrak, që pritet të jetë gati.

Ekipi po rritet dhe është më gati. Shoh Kalarin dhe Malotën që janë gati të më vënë vështirësi në zgjedhje. Do e kem të vështirë se kë do të zgjedh në formacionin titullar. Të gjithë mendojmë për skuadrën, trajnerët kalojnë, lojtarët kalojnë, gazetarët kalojnë, në fund mbetet Partizani. I rëndësishëm është Partizani, me ose pa ne.

Çfarë mund të thoni për kritikat e ish-trajnerit Starova ndaj jush?

Kush është ky?

Ish-trajneri i fundit dhe këshilltari i presidentit Demi…

Çfarë ka thënë?

Se trajneri Iuliano është i paaftë…

Më falni, çfarë ka bërë ai?

Ka fituar kampionatin e fundit të Partizanit në vitin 1993.

Aaa, çerek shekulli më parë, unë pas tij kam fituar Champions dhe kampionate. Duhet t’ia thoni këto atij.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"