Kritikat e shumta ndaj Anglisë, Kejn: T’i injorojmë zhurmat! Pas fitores 6-2 thanë që do të fitojmë Botërorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 9:05

Kritikat e shumta ndaj Anglisë, Kejn: T’i injorojmë zhurmat! Pas fitores 6-2 thanë që do të fitojmë Botërorin

Një nga titullarët e Anglisë që është përfolur se mund të jetë pjesë e rrotacionit të trajnerit Garet Sauthgejt në ndeshjen e sotme kundër Uellsit, është kapiteni Herri Kejn. Kundër Iranit dhe SHBA-së, sulmuesi i Totenhemit ishte titullar, por nuk ka shënuar ende golin e parë dhe në ndeshjen e fundit 29- vjeçari u pa i lodhur.

KEJN 2

“DailyMail” zbuloi se ai i ka kërkuar trajnerit që të jetë në fushë nga minuta e parë sot në derbin e Britanisë dhe se nuk ka asnjë shqetësim fizik. Ai nuk mendon se do të ketë një shans më të mirë për t’u zhbllokuar sesa kjo ndeshje. Në konferencë trajneri Garet Sauthgejt nuk zbuloi shumë, por këmbënguli se Kejn është gati.

“Ai është mirë pas goditjes që mori (në kavilje kundër Iranit). Nuk e di përse të gjithë thonë se ka probleme me kaviljen dhe ajo po i shkakton probleme. Në stërvitje mungoi vetëm Ben Uajt, sepse është i sëmurë. Kështu që ne i kemi të gjithë të disponueshëm dhe kjo është e shkëlqyer. M’i bën vendimet më të vështira”.

KARIKIMI

Në një intervistë për “BBC”, Kejn i bëri thirrje skuadrës që t’i harrojë zhurmat që vijnë nga tifozët dhe mediat pas kritikave për lojën kundër SHBA-së.

“Tre Luanët” u vlerësuan si heronj pasi mundën 6-2 Iranin në ndeshjen e parë të grupit, por shumë dyshime u ngritën mbi ta prej atij barazimi 0-0 ndaj amerikanëve.

Anglia kualifikohet në 1/8- at në rast se shmang humbjen 4-0 sot me Uellsin.

Por ata do të kërkojnë vendin e parë për të shmangur me shumë mundësi Holandën në 1/8-at.

“Mendoj se ne jemi të mësuar me zhurmat. Pas fitores 6-2 të gjithë po flisnin që ne do të fitonim Botërorin dhe pastaj kishim një rezultat jo të keq 0-0 ndaj SHBAsë.

Sigurisht që njerëzit kanë mendimet e tyre. Është pjesë e pakos së të qenit në një turne të rëndësishme. Po të shohim Europianin është shumë e ngjashme.

Pas barazimit kundër Skocisë kishte shumë zëra. Por ne jemi të fokusuar te vetja dhe e dimë se çfarë duhet për të shkuar në finalet e një turneu. Shpresojmë që të jetë e njëjta gjë nëse qëndrojmë të përqendruar në atë që duhet të bëjmë”, tha kapiteni.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"