Sistemi me dhjetë ekipe ka sjellë mjerim në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 21:07

Sistemi me dhjetë ekipe ka sjellë mjerim në Shqipëri

NEPTUN BAJKO

Neptun Bajko

Neptun Bajko nuk mund ta shmangë dot aktualitetin dhe as të kursejë kritikat për gjërat që sipas tij nuk shkojnë. Trajneri i shquar thotë se kampionati me 10 ekipe, jo vetëm që nuk po e ndihmon futbollin shqiptar, por po e zhyt atë në mjerim, duke lënë jashtë elitës klube të rëndësishme.

“Ndoshta, disa me një inat të verbër shohin anë të këqija kudo, pa bërë një analizë të kohës së mëparshme. Shkaqet dhe pasojat, arritjet dhe mangësitë e atij sistemi. Futbolli ka një meritë të madhe, sepse edhe në atë sistem ka pasur mendim ndryshe. Çdo gjë diskutohej, komentohej në rrugë, në stadiume, në procesin stërvitor, në qendra pune, uzina e fabrika e përfundonte në çdo familje.

Në 24 orë ishte në syrin gjykues të një opinioni të tërë. Dhe, ta mendosh që ishte vetëm një TV shtetëror dhe një gazetë sportive. Edhe kur ndodhte një incident në stërvitje, pasi dilje në shëtitore lajmi ishte përhapur dhe disku met kishin nisur grupe-grupe. Pra, kishte një opinion publik që të vinte nën presion dhe doje apo s’doje jepje llogari. Po sot? Kush vendos? Kujt i jep llogari? Kush mban përgjegjësi kur ka dështime? Shikoni si është katandisur futbolli shqiptar.

Partizani-Kukesi

Pse u dashka një kampionat me 10 ekipe kur vetë drejtuesit e klubeve, në sondazhin që ka bërë kjo gazetë, janë shprehur unanimisht kundër?! Pikërisht ky sistem ka sjellë një mjerim të vërtetë të kësaj loje, që aq shumë e kanë dashur mijëra futbolldashës në Shqipëri. Pse të rinjtë, me qindra, të mos kenë hapësirë të luajnë në Shqipëri? Sistemi me 10 ekipe ka dështuar me kohë. Duhet ndryshim! Në çdo aspekt, sa nuk është vonë!

Ne kemi humbur e po humbim karakteristikat më të çmuara me të cilat jemi rritur dhe edukuar. Ne po humbasim futbollin e sportdashësit nga Vllaznia, Besa e Kavajës, të Elbasanit, të Dinamos, të Lushnjës, të Luftëtarit, Besëlidhjes, të Kastriotit, Shkumbinit etj., për t’u ndalur te krenaria e nivelit të futbollit tonë në dekada, Flamurtari i Vlorës.

A do ta kuptojmë ne çfarë humbjesh dhe ç’pasoja ka në ecurinë e nivelit të futbollit tonë apo jo? Këta kërkojnë që me këtë skemë të rriten financat, të shtohen talentet, të minimizohen aleancat, por në fakt kjo nuk ka ndodhur. Dhe ky futboll është tej mase i drobitur. Është njësoj sikur t’i kërkosh makinës të japë përtej limiteve të saj. Prandaj ata që menaxhojnë klubet dhe futbollin duhet të reflektojnë sa më parë”, shprehet Bajko për gazetën.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ “Po të vendoste ushtria Partizani bëhej si Juvja”, rrëfimi special i Neptun Bajko: Të keqen e kishim brenda, ja kush e dënoi Mustën me shokë

EKSKLUZIVE/ “Bënë hile të mos dilnim kampionë”, Bajko: Tirana ekipi i Partisë, Mustën dhe disa zevzekë donin t’i hiqnin nga Partizani (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"