Kritika për të tërë, Kalluci: Pa merkato, Luftëtari në greminë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 21:19

Kritika për të tërë, Kalluci: Pa merkato, Luftëtari në greminë

Theodhori Kalluci, ish-sulmuesi dhe ish-trajneri i Luftëtarit, e shikon klubin në ditët më të zeza të tij. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thotë se skuadra u braktis nga ish-presidenti Grigor Tavo, ndërsa ka rezerva për menaxhimin që i kanë bërë drejtuesit aktualë situatës.

Kalluci

“Luftëtari aktual ka humbur shkëlqimin e sezoneve të shkuara. Arsyet janë të shumta dhe do të duheshin net të gjata dimri për t’i komentuar. Braktisja në verën e vitit të shkuar nga presidenca, ndërrimi i stafit teknik, tre trajnerë në një muaj dhe merkatoja jocilësore, kanë mjaftuar që Luftëtari sot të jetë pranë rënies nga kategoria. Në skuadër me ardhjen e trajnerit grek Jorgos Marantas pati konflikte mes lojtarëve dhe stafit teknik. Grupi i lojtarëve me përvojë u anashkalua dhe u lanë në hije. Një trajner i mirë duhet të jetë psikolog i mirë. Për këtë kanë nevojë lojtarët e Luftëtarit. Ardhja e trajnerit Nikolin Çoçlli nga shkolla e Partizanit është një gjë e mirë. Partizani është histori e futbollit shqiptar dhe Çoçlli bashkë me ndihmësin e tij Neritan Novi do të dinë të dalin nga situata që Luftëtari përjeton sot në klasifikim”, u shpreh fillimisht “Mjeshtri i sportit”.

luftetariii

MERKATO

Luftëtari në ditët e lëna pas të kësaj merkatoje janari ka afruar emra të rinj, kryesisht produkte të shkollës së Partizanit. Por Kallucin e shqetëson situata që po përjeton Luftëtari lidhur me merkaton e ngrirë nga FIFA për detyrimet e mbrojtësit brazilian Marko Aurelio. “Nuk do të ishte e udhës që lojtarët e afruar në merkato të mos federoheshin. Përgjegjësia nuk është e presidencës së tanishme, por e asaj para verës së 2109-ës. Atëherë çfarë duhet bërë? Të gjendet gjuha e përbashkët me lojtarin e “dëmtuar” financiarisht, që të hapet drita jeshile e merkatos.

Në të kundërt, edhe puna e stafit teknik do të shkojë në lumë. Unë e kam ndjekur në disa seanca stërvitore skuadrën dhe më ka pëlqyer puna e stafit teknik. Jemi skuadër e brishtë dhe duhet më shumë sakrificë për të ingranuar lojtarët me njëri-tjetrin”, tha ish-trajneri i Luftëtarit në vitet 1993-1995.

luftetari ne stervitje (1)

KUKËSI

Kukësi, kryesuesi i Kategorisë Superiore, do jetë mysafir në Gjirokastër në epilogun e mbylljes së fazës së dytë. Një përballje shumë e vështirë për të besuarit e Nikolin Çoçllit, por jo e pamundur për t’u kaluar me sukses. Ky është dhe mendimi i Kallucit, i cili për më shumë tha: “Kukësi ka në gjirin e tij “ajkën” e lojtarëve të futbollit shqiptar, por kjo s’do të thotë se Luftëtari do hyjë i dorëzuar. Përkundrazi, kam besim te shpirti, grinta dhe karakteri i lojtarëve tanë. Besoj se Luftëtari s’do dalë pa gjë nga kjo ndeshje. Vështirësitë dihen, por në fushë luajnë 11 kundër 11…”, përfundoi Kalluci.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"