Kristi Vangjeli largohet nga Çernomorets

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Janar 14, 2014 | 13:07

Kristi Vangjeli largohet nga Çernomorets

Kristi_VangjeliKristi Vangjeli nuk është më pjesë e Çernomorets Odesës. Mbrojtësi ka prishur dje kontratën me klubin ukrainas, teksa lajmi për “Panorama Sport” konfirmohet nga vetë lojtari korçar. “Po, është e vërtetë që unë nga dje nuk jam më pjesë e Çernomorets. Pas dy sezonesh e gjysmë me skuadrën ukrainase, vendosa ta prish kontratën. Diskutuam me drejtuesit e klubit dhe zgjidhja e marrëveshjes ishte me konsensusin e të dyja palëve. Pas rikthimit nga dëmtimi nuk arrita të luaja si në sezonin e parë dhe të dytë, kur isha një titullar i padiskutueshëm. Duke parë që hapësirat u ngushtuan, nuk mund të vazhdoja kështu. Gjithsesi, unë jam treguar profesionist dhe asnjëherë nuk kam bërë polemika me trajnerin. Ka qenë zgjedhje e tij dhe e kam respektuar. Tashmë do të shikoj për një eksperiencë tjetër”, – është shprehur fillimisht mbrojtësi, i cili ka luajtur 33 ndeshje me fanellën e Kombëtares shqiptare, por në dy vitet e fundit nuk është preferuar nga trajneri italian i kuqezinjve, Xhani De Biazi. I pyetur për të ardhmen, Vangjeli sqaroi: “Për momentin nuk kam diçka konkrete. Disa klube greke më kanë bërë ofertë, por synimi im nuk është rikthimi në Greqi. Të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, jam në pritje të ofertave të tjera”. Duke qenë se tashmë është një futbollist i lirë, Vangjeli duket se lë shpresa për një transferim te Skënderbeu, por megjithatë përgjigjja e tij është më shumë në formë respekti ndaj ekipit të vendlindjes. “Skënderbeu? Pse jo, kurrë mos thuaj kurrë. Për të qenë seriozë, synimi im është që të vazhdoj të luaj në nivele të larta. Jam 28 vjeç dhe në kulmin e karrierës. Respektoj Skënderbeun si skuadrën e vendlindjes, por për momentin kam të tjera ambicie. Meqë më jepet rasti, i uroj suksese ekipit korçar”.
JORGIS MEMO






www.minuta90.com