Kristalizohet formacioni/ Dinamo “fikson” sulmin, Denison vjen si goleador

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2022 | 23:25

Kristalizohet formacioni/ Dinamo “fikson” sulmin, Denison vjen si goleador

Dinamo kristalizon formacionin. Është një miksim i lojtarëve që kanë qëndruar nga sezoni i shkuar dhe afrimeve të verës. Përforcimet kanë prekur çdo repart dhe pa frikë mund të thuhet se çdo rol është dubluar. Në kësi kushtesh, blutë janë zyrtarisht gati.

DENISON

Duke pasur kontingjent të plotë dhe me cilësi, klubi nuk mjaftohet vetëm me ngjitjen. Blutë gjykojnë se janë në gjendje të pretendojnë edhe në Kupën e Shqipërisë.

DENISON SULMUES – Gjatë miqësoreve të verës ka rënë në sy forma shumë e mirë e Denison. Lojtari që erdhi në janar te blutë e kryeqytetit dhe që me italianin, Vanoli, e pa veten në stol, duket i rilindur. Pas asaj që kaloi në fund të kampionatit, braziliani mendoi largimin, por klubi jo vetëm që nuk e lejoi, por e sheh atë si një nga shtyllat më të rëndësishme të Dinamos së re. Ai luan në mesfushë dhe në krah të sulmit, por trajneri Nevil Dede e ka shtyrë atë pak më përpara. Braziliani është aktivizuar në dyshen e sulmit bashkë me Taulant Markun.

DENISON DINAMO

Një dyshe që ka funksionuar shumë mirë dhe që ka shënuar shumicën e golave për Dinamon në testet miqësore. Por nëse Marku është një goleador i lindur që e ka treguar veten në Kategorinë e Parë, ai që ka befasuar është Denison. Braziliani ka shënuar ndaj Vllaznisë, Pogradecit, Kastriotit dhe së fundi ndaj Turbinës. Në Cërrik shënoi 2 gola edhe Taulant Marku, që gjithashtu ka gjetur rrugën e rrjetës edhe ndaj Kastriotit e Partizanit. Dy lojtarët merren vesh mirë me njëri-tjetrin dhe do të udhëheqin Dinamon drejt Superiores me golat e tyre.

DANAJ – Për të pasur një fanellë titullari në formacionin e Dinamos ka bindur edhe Redon Danaj, edhe ky një lojtar që ka marrëdhënie të mira me portën kundërshtare. Lezhjani është aktivizuar në majë të mesfushës në formë rombi, pas dyshes sulmuese Denison-T.Marku. Edhe ai jep një ndihmë të madhe në lojën sulmuese të bluve. Të tjerë lojtarë që Dinamo ka të gatshëm për sulmin janë Rexhinaldo, nëse nuk huazohet, Diogo dhe Bardhi.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"