Krisje totale te Vllaznia, klubi i del kundër Cungut për rrogat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2017 | 9:52

Krisje totale te Vllaznia, klubi i del kundër Cungut për rrogat

Klubi i Vllaznisë përgënjeshtron trajnerin Armando Cungu. Një ditë më parë, tekniku deklaroi publikisht se lojtarët dhe stafi teknik kishin tre muaj pa u paguar. Por, klubi ka reaguar dje duke thënë se nuk është shlyer vetëm një muaj dhe bëhet fjalë për majin.

Cungu Vllaznia stafi

“Në lidhje me disa shkrime të sotme (dje) në të përditshmet sportive ku thuhet se skuadra e Vllaznisë ka tre muaj pa u paguar, sqarojmë se pa u likuiduar është vetëm rroga e muajit maj, asgjë më shumë. Edhe kjo rrogë, tashmë pas miratimit të një shume financiare nga ana e Këshillit Bashkiak Shkodër në mbledhjen e tij të fundit, pritet t’u kalojë futbollistëve dhe stafit teknik brenda pak ditësh.

Sipas udhëzimeve të FSHF-së, tek të gjitha ekipet kontratat janë të nënshkruara për një periudhë gusht-maj, aq sa zgjat sezoni sportiv dhe kështu ka ndodhur edhe te Vllaznia. Pikërisht për këtë arsye, siç ju kemi informuar, që prej fillimit të muajit gusht, drejtuesit e klubit kanë mbyllur thuajse plotësisht rinovimin e kontratave të reja me të gjithë futbollistët aktualë të ekipit”, thuhej në reagimin e djeshëm të klubit të Vllaznisë. Në mënyrë direkte, klubi del kundër trajnerit, pasi ishte pikërisht Cungu që deklaroi se ekipi kishte tre muaj pa u paguar.

PËRPLASJA

Nga sa është bërë e ditur, drejtuesit e klubit dhe ata teknik janë shprehur se korrektesa në pagesa në drejtim të lojtarëve është maksimale. Tekniku e ka theksuar një fakt të tillë. “Jam i bindur se janë të sigurta, janë çështje vonesash, problematikash apo bllokime të llogarive bankare”.

Por, ajo që nuk shkon në këtë histori është fakti se Cungu deklaroi se lojtarët kanë tre muaj pa u paguar, në një kohë që klubi thotë se ka detyrime vetëm për një rrogë. Me sa duket, bllokimi i llogarive është ajo që ka jo pak ndikim edhe në kalimin e pagave të prapambetura.

Siç dihet, një vendim i një gjykate të arbitrazhit ka bërë që për shkak të çështjes “Gea Sport”, llogaritë e klubit Vllaznia të jenë të bllokuara. Klubi shkodran është përfshirë nga probleme të shumta gjatë sezoneve të fundit, në një kohë që situata nuk është aspak e mirë.

 

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"