Krisje te klubi i Kategorisë së Parë, bashkia kërkon të marrë presidencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 10:59

Krisje te klubi i Kategorisë së Parë, bashkia kërkon të marrë presidencën

Besëlidhja ka probleme serioze në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të saj si klub. Ky është konstatimi i kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili kërkon ndryshime rrënjësore në klubin sportiv të Besëlidhjes që në muajin janar. Ai gjykon se nga administrata aktuale janë bërë shkelje dhe se klubi nuk funksionon sipas statusit të tij si klub sportiv, por vetëm si klub futbolli dhe se deri tani nuk është investuar aspak për sportet e tjera në Lezhë. 

beselidhja

Kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka ngritur një grup auditimi për mënyrën si është administruar klubi lezhjan dhe në raportin e tij janë konstatuar shumë shkelje, duke përfshirë edhe pagesa të fryra.

KRISJA

Në raportin e grupit të auditimit thuhet se atributet e presidentit të Besëlidhjes i ka kryetari i bashkisë, ndërsa presidenti Gjok Noka njihet si president i shoqatës së futbollit “Besëlidhja”, sipas një vendimi të mëparshëm, në kohën kur kryebashkiak i Lezhës ishte Viktor Tushaj. Mes të tjerash, në raport bie në sy fjalia se kontratat e firmosura më parë te Besëlidhja duhen riparë, ndërsa kontratat dhe federimet e reja duhet të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi nga kryetari i bashkisë ose nga personi i autorizuar prej tij.

gjok noka

Një fjali që do të thotë se kompetencat e presidentit të Besëlidhjes së shpejti do t’i marrë kryebashkiaku Ndreu, duke ia marrë Gjok Nokës. Ky i fundit është në krye të skuadrës lezhjane prej më shumë se 10 vjetësh dhe ka bërë përpjekje të vazhdueshme për ta ngjitur në Superiore, por nuk ia ka arritur qëllimit. Tani Gjok Noka mund ta humbasë postin e presidentit, pasi kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, kërkon ta marrë vetë në dorë situatën. Ditët në zhvillim pritet të sjellin zhvillime konkrete.

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"