“Krijonte konflikte për shou”, Shabani: Troisi fajtor, e la gropë Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2023 | 14:25

“Krijonte konflikte për shou”, Shabani: Troisi fajtor, e la gropë Flamurtarin

Besmir Shabani fajëson Marcelo Troisin për situatën në të cilën gjendet sot Flamurtari. Ish-trajneri i Orikut dhe Labërisë mendon se braziliani la një gropë të madhe ekip. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ai i cilëson dështim edhe lojtarët e sjellë në Vlorë. Përtej gjithçkaje, mendon se shanset për ngjitjen janë të larta. Nuk sheh ndonjë diferencë mes skuadrave që rrezikojnë rënien në elitë dhe kuqezinjve.

Shabani2

Shabani, si ju duket situata dhe zhvillimet te Flamurtari?
Fillimisht dua të them, se Marcelo Troisi duhet që të marrë me vete përgjegjësitë. La një gropë të madhe në futbollin vlonjat për aq kohë sa qëndroi. Dështimi është i atij, pasi iu la dorë e lirë. Mori çdo lojtar që donte, me apo për interesin e tij. Dhe fundi dihet. Solli koloninë e tij në Vlorë, që për mendimin tim rezultoi një dështim. Por ai pati fatin të drejtonte një nga klubet më të mëdha në Shqipëri dhe me një president që nuk ndërhyn asnjëherë në punën e trajnerit, por të lë dorë të lirë. Kështu që ai person duhet të dalë publikisht dhe t’u kërkojë falje qytetit të Vlorës, futbollit vlonjat dhe presidentit, që ka investuar pa masë për ekipin. Unë e quaj një “telebingo” që i ra atij zotërie për të drejtuar Flamurtarin. Troisit i erdhi dhe nuk diti ta shfrytëzonte, por u mor me vogëlsira dhe budallallëqe që nuk e ndihmonin aspak futbollin vlonjat.

Për çfarë e keni fjalën?
Flas në aspektin teknik. Në momentet që ekipi nuk po arrinte të merrte rezultatin e duhur, ai fillonte e krijonte konflikte dhe bënte shou. Sikur ia kishin fajin lojtarët apo stafi kundërshtar… Një trajner profesionist dhe që ka skuadrën më të mirë nuk ka kohë të merret me kundërshtarin. Kjo ishte një skemë për të hequr vëmendjen nga loja e dobët që ai krijonte dhe të merrej me pjesën e kundërshtarit. Edhe në Fier kur isha unë zv.trajner tek Apolonia, krijonte situata të pakuptimta dhe që nuk kishin lidhje fare, vetëm e vetëm se ekipi nuk po shtynte përpara dhe nuk po merrte rezultat pozitiv.

Iakoveli ka lëshuar disa akuza ndaj Troisit, keni ju një koment?
Nëse një lojtar si Iakoveli, me cilësi shumë të mira dhe me CV të pasur arrin që të thotë këto fjalë, unë nuk kam se si të mos i besoj. Unë e shikoja bashkë me çdo lojtar dhe ishin familjarizuar, kudo ku shkonim ishim bashkë, gjë që për një trajner nuk është etike. Trajneri ka stafin e tij, punën e tij, mbaron stërvitjen, ndeshjen, ikën dhe nuk bëhet pjesë e tavolinave të sportistëve apo pjesë e familjarëve të tyre. Dhe kur flasim për një menaxher-trajner, akuzat nuk janë të pamundura. Mund t’i ketë kërkuar komision.

Të kalojmë te ngjitja, sa shanse ka Flamurtari të kapë Superioren?
Mundësitë janë pasi nuk është ndonjë diferencë e madhe edhe me skuadrat e elitës, që janë për në “play out”. Kështu që, mjafton vetëm të besosh dhe të vlerësosh maksimalisht atë investim që të është bërë ty dhe ti ta shprehësh në mënyrën më të mirë të mundshme.

Shikoni ndryshime nën drejtimin e Longos dhe mendoni se ishte zgjedhja e duhur?
Unë mendoj se Longo e njeh kampionatin shqiptar, pasi ka bërë mirë edhe te Kukësi. Por ka një problem, se nuk e di sa do t’i përshtaten lojtarët mënyrës se si mendon ai të luajë dhe idetë që ai ka. Kështu që, është një pikëpyetje e madhe pasi një trajner që do të japë më të mirën, duhet të ketë lojtarët e duhur për ta vendosur skuadrën me idetë që ai do. Nuk e di se sa do të jetë i aftë që ta realizojë këtë gjë.

Pas largimit të Resulit, u përfol se jeni kontaktuar nga drejtuesit e Flamurtarit. Si është e vërteta?
Për momentin po angazhohem me akademinë time, që e kam ngritur prej vitesh. Është e vërtetë që kam pasur një kontakt pas largimit të Resulit nga Flamurtari. Por atëherë nuk ishte e mundur. Shpresoj që një ditë kjo ëndërr të bëhet realitet, sepse unë kam kontribuar për rreth 11 vite, kam rritur dhe stërvitur brezat e rinj për t’i çuar te skuadra e parë e Flamurtarit. Dua që një ditë të jem në drejtimin e këtij ekipi. Shpresoj që edhe me ndihmën e Zotit kjo gjë të ndodhë sa më shpejt, pasi ëndrra jonë dhe shtëpia jonë gjithmonë mbetet Flamurtari.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"