Kreu paraqitje pozitive në Kupë me Partizanin, mesfushori 18-vjeçar në fokusin e trajnerit Daja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 12:19

Kreu paraqitje pozitive në Kupë me Partizanin, mesfushori 18-vjeçar në fokusin e trajnerit Daja

Skuadra e Partizanit po vazhdon me intensitet të lartë përgatitjet në prag të sfidës kundër Vllaznisë, që do të luhet ditën e diel në orën 19:45, në “Elbasan Arena”.

MAGUETE GUEJE

Seanca e djeshme stërvitore u zhvillua në orën 13:30 dhe zgjati rreth dy orë. Pas dy javëve të para, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka marrë vetëm një pikë, teksa ndaj Vllaznisë, do të kërkojnë të gjejnë fitoren e parë në këtë edicion të ri të Kategorisë Superiore.

Grupi është i plotë për trajnerin kryeqytetas, por Dionis Çikani, i riu që luajti sezonin e shkuar si i huazuar te Drenica ka pasur një shqetësim në shpatull dhe i është nënshtruar një operacioni. Gjithashtu, edhe i riu tjetër Klevis Dragaj ka probleme në gju dhe duhen edhe disa ditë që të jetë i gatshëm për trajnerin Daja.

Në sfidën e mesjavës në Kupë ra në sy paraqitja pozitive e mesfushorit Maguete Gueje. 18- vjeçari bëri një ndeshje të mirë dhe ka fituar edhe vëmendjen e Ilir Dajës, i cili ka simpati për aftësitë e mëngjarashit.

Edhe në seancat e fundit stërvitore, fokusi ka qenë te Maguete, i cili ditaditës po ingranohet gjithmonë e më shumë me ekipin e parë. Sa i takon formacionit nuk pritet të ketë shumë ndryshime nga titullarët që luajtën në Korçë përballë Skënderbeut.

I vetmi lojtar që e ka hedhur seriozisht kandidaturën për ta nisur nga minuta e parë takimin kundër Vllaznisë, është Andrija Filipoviç, i cili po ashtu bëri një ndeshje pozitive ndaj Tërbunit ku gjeti edhe golin e parë në Kupë.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"