Kreu i Teutës kundër FSHB-së: Komisionet mbetën peng i federatës, nuk mund të vendosë Librazhdi për Superligën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 23:47

Kreu i Teutës kundër FSHB-së: Komisionet mbetën peng i federatës, nuk mund të vendosë Librazhdi për Superligën

Teuta, siç dihet, gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë një prej skuadrave që ka dalë hapur kundër mënyrës se si ka funksionuar Federata Shqiptare e Basketbollit. Disa ditë pas zhvillimit të asamblesë statutore, presidenti i bregdetarëve, Arqile Gorea, shpreh pakënaqësinë e tij që nuk u morën në konsideratë propozimet e bëra për statutin e ri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gorea komenton vendimet e marra në asamble, teksa nuk i kursen sulmet për FSHB-në, e në veçanti për sekretarin e përgjithshëm, Korab Llazani.

bandicam 2021-02-05 23-46-46-408

FSHB miratoi statutin e ri, ndërkohë ju e keni deklaruar hapur kundërshtimin tuaj në lidhje me këtë statut, gjë që e shprehët edhe me votë në asamble. Cili është komenti juaj për “kushtetutën” e re të basketbollit shqiptar dhe sa do t’i shërbejë këtij sporti?

Basketbolli shqiptar, siç dihet, kohët e fundit ka përjetuar momente jashtëzakonisht të vështira, duke prekur fundin. Kjo situatë ka ardhur për shumë arsye, ku me faj sigurisht ngarkohet edhe statuti, si edhe aktiviteti i federatës i cili bazohet në këtë statut. Pra, kishim një konglomerat jo vetëm të hartuar keq dhe pak primitiv, por që bllokonte edhe funksionet demokratike dhe sportive të federatës. Duke parë këtë situatë, një grup specialistësh dhe juristësh të njohur përgatitën një statut alternativ, i cili konsistonte në përmirësimin e atyre pikave që ishin defektoze, por që nuk u morën në konsideratë.

Më konkretisht, cilat janë pikat që nuk shkojnë, sipas jush?

Një federatë që nuk ka komisione duhet t’i ndërtojë ato, por që këto komisione të funksionojnë, nuk duhet të emërohen nga Komiteti Drejtues, sepse është njësoj sikur gjykatat të emëroheshin nga kryeministri. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për komisionin e disiplinës dhe të apelit, për të cilat në statut thuhet se duhet të caktohen nga KD-ja. Komisionet duhet caktohen nga asambleja dhe të jenë të pavarura nga KD-ja dhe strukturat e federatës. Vetëm në këtë mënyrë ato mund të kenë liri veprimi dhe hapësirë për të ushtruar funksionet. Në të njëjtën situatë jemi edhe me komisionin e arbitrave, me komisionin e të drejtës statutore, me komisionin ekonomik, ku tarifat do të vazhdojnë të caktohen nga federata, në një kohë kur tarifat janë produkt që bien mbi kurrizin e anëtarëve të asamblesë. Një tjetër çudi është kur KD-ja merr në shqyrtim aktivitetin e një anëtari dhe kur do e thërret ose jo. Por, nuk ka asnjë gjyq në botë që të zhvillohet pa objektin për të cilin bëhet ky gjyq ose prezencën e avokatit mbrojtës. Pra, të gjitha këto e cenojnë rëndë konceptin e funksionimit dhe moralin e federatës. Por, më habiti diçka, ku gjatë gjithë kësaj periudhe me aktivitete të bllokuara federata ushtroi funksionet e veta normale dhe në vend që të merrej me përmirësimin e statutit, u mor me manipulimin e asamblesë.

Atëherë si do ta shpjegoni qëndrimin e klubeve të tjera, me shumicën që votoi pro?

Fillimisht, dua t’ju bëj me dije që ishte një asamble mikse, sepse u përjashtuan anëtarë dhe u shtuan anëtarë të rinj. Ndërsa, nga ana tjetër, kemi një sekretar federate që vazhdon të gënjejë, i cili përveçse nuk pranon ballafaqimet, del në televizione dhe thotë që votuan të gjithë pro. Por unë kam një pyetje të thjeshtë për këtë njeri: Ku ishin ekipet e meshkujve të Partizanit apo Tiranës?! Teuta votoi kundër, ndërsa Eagles abstenoi. Pra, nga 6 ekipe të Superligës, 4 nuk i kishte. Atëherë çfarë votimi është ky?! Këta mendojnë që për Superligën duhet të diskutojnë dhe të vendosin skuadra si Librazhdi, Saranda, Përmeti apo Pogradeci, të cilat vendosin për ne që paguajmë 850 euro për federimin e një lojtari të huaj. Por, presidenti i FSHB-së mori përsipër gabimin, teksa tha se i ka bërë të gjitha ai dhe se do t’i korrigjojë. Tani ne besojmë te fjala e tij në marrjen e një angazhimi të tillë dhe do të presim se do të përmirësohet, por jemi në një situatë të tillë pritjeje që është vrastare. Ne kemi shpenzuar para për kampionatin e bllokuar dhe jemi penalizuar, ndryshe nga federata, pasi ata i kanë marrë rrogat. Kemi 12 vjet një sekretar federate me një rrogë të majme, ku basketbolli shqiptar ka paguar deri tani mbi 100 milionë lekë për këtë njeri. Nëse këto para do të shkonin në favor të basketbollit, do të ishte bërë diçka, por lekët janë shpenzuar kundër basketbollit. Ky njeri i cili ka gënjyer disa herë, nuk ka më të drejtë morale që të jetë në atë post dhe që këtu duhet ta fillojë z.Ponari ndryshimin. Tashmë i vetmi besim imi, siç e thashë, mbetet te z.Ponari, i cili duhet të ndërhyjë e t’i rregullojë gjërat.

Cila është formula që do të propozojë Teuta për kampionatin?

Duke qenë se bëhet fjalë për një kampionat “sakat” dhe jonormal për vetë kushtet në të cilat zhvillohet, propozimi ynë është me 10 ndeshje e më pas me “final 4”. Megjithatë, ka ende shumë gjëra të paqarta të cilat do t’i caktojmë në asamblenë e klubit.

Si do të jetë Teuta e sezonit të ri? Për çfarë objektivash do të luftojë?

Situata, siç e thashë, është e paqartë, por Teuta do të jetë një ekip dinjitoz, që do të konkurrojë për të përfaqësuar ngjyrat e klubit ashtu sikurse ka bërë gjithmonë. Nuk mund ta them nëse do të jemi për titull në të tilla rrethana, por as nuk e përjashtoj diçka të tillë.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"