Kreu i Shoqatës Rajonale Elbasan: Trajtohemi si kriminelë, turp për ish-kryeministrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2018 | 22:59

Kreu i Shoqatës Rajonale Elbasan: Trajtohemi si kriminelë, turp për ish-kryeministrin

Kreu i Shoqatës së futbollit rajonal në Elbasan, Ilirjan Hyshmeri, shprehet tepër i indinjuar me deklaratat e kandidatit për zgjedhjet në FSHF, Bashkim Fino. Sipas tij, në kohën kur Fino zgjidhej kryeministër i Shqipërisë, këto shoqata bënin aktivitete sportive mes plumbave.

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, Hyshmeri pohon ndër të tjera se këto shoqata janë në rregull dhe do të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e 7 shkurtit. Enkas për gazetën, kreu i kësaj shoqate zbulon edhe emrin e delegatit në këto zgjedhje, teksa i është besuar legjendës së portës elbasanase, Bujar Gogunja.

Asambleja 1

Shoqata Rajonale Elbasan ka të drejtë vote për zgjedhjet në FSHF. Kandidati Fino ka thënë që askush të mos afrohet të votojë. Ju do të shkoni të votoni?

Sigurisht që do të shkojmë të votojmë sepse e kemi këtë të drejtë vote dhe kemi mbajtur futbollin gjallë. Kur Fino zgjidhej kryeministër dhe lëvizte me bodiguardë në vitin 1997, ne bënim aktivitete në mes të plumbave.

Dakord, por nuk i druheni ndonjë ndjekjeje penale, pse jo edhe burgut, duke marrë parasysh se këto shoqata nuk janë regjistruar në gjykatë?

E kam lexuar atë që ka thënë Fino dhe ai nuk mund të na trajtojë si kriminelë. E imagjinoni dot, një kandidat për president i FSHF-së që deklaron se i pret burgu njerëzit e sportit?! Është turp edhe për atë Parlament që nga paratë tona akordon fond për kurimin e Finos, një njeriu që kërcënon njerëzit e sportit.

Mund të na konfirmoni se kush e ka të drejtën e votës nga shoqata juaj?

Meqë po më pyesni, në këto zgjedhje shoqata jonë ka deleguar Bujar Gogunjën për të votuar më 7 shkurt. Nëse i thoni edhe atij kriminel, një sportist dhe njeri model, nuk e di çfarë mund të themi për njerëzit e tjerë.

lajmi_asambleja

Ju jeni kryetar i shoqatës, pse nuk do votoni ju, por pikërisht Gogunja?

Nuk është e thënë të votojë kryetari. Së pari, unë jam tërhequr për arsye shëndetësore dhe ne bëmë një mbledhje si çdo vit. Aty, në mënyrë unanime, vendosëm që të jetë delegat pikërisht Gogunja. Më parë ka votuar Hekuran Jakupi, një tjetër ish-futbollist i njohur. Nëse këta njerëz janë kriminelë, unë nuk di se çfarë emri t’i vendos.

Fino ka thënë se, duke qenë se nuk jeni të regjistruar në gjykatë, nuk mund të votoni…

Së pari, shoqata ka ekzistuar para se të vihej Duka në krye të FSHF-së, por atëherë quhej thjesht Ligë Amatore. Me ardhjen e Dukës u formalizua më shumë. Madje, ne kemi dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe një jurist në federatë është marrë me këto çështje. Ndaj, jemi të rregullt në këtë pjesë.

Shoqatat konsiderohen si fiktive dhe të gjitha pro Dukës, të paktën kështu pretendon pala tjetër…

Dëgjoni, para se të vinte Duka në krye të FSHF-së, federata ka pasur vetëm tri dhoma dhe një tualet. Shpeshherë na vinte edhe turp për kushtet që kishim. Me ardhjen e Dukës, i vjen ‘era’ institucion dhe shkon me dëshirë në federatë.

Ka pasur shumë zhvillim gjatë kësaj periudhe, ku përpos të gjithave tani edhe trajnerët marrin licencën e UEFA Pro, që mund të trajnosh në të gjithë botën. Ne si shoqatë Rajonate të Elbasanit kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe me krerët e zyrës rajonale të FSHF-së, tani me Ilirjan Filen dhe dikur me Artin Kovaçin. Gjithnjë në zhvillim të futbollit. Kemi një ngritje ekipesh nga viti në vit dhe kjo gjë dhe mjafton të them që janë 70 ekipe nga U-7 deri në U19 në Elbasan.

Përfundimisht, ju jeni të bindur se jeni në rregull dhe nuk ka asnjë shkelje?

Absolutisht po. Madje, dua të them që trajnerët që bëjnë pjesë në këtë shoqatë, janë heronj, pasi heqin fëmijët nga rruga dhe droga duke i futur në rrugën e sportit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"