Kreu i KOKSH konfirmon shkeljet me bursat olimpike: Ja skandali financiar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2019 | 22:47

Kreu i KOKSH konfirmon shkeljet me bursat olimpike: Ja skandali financiar

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, doli dje në një konferencë për shtyp në hotel “Tirana International” mbi situatën jonormale që po kalon KOKSH, ku sekretari Stavri Bello ka shkuar dy herë te Krimi Ekonomik, pas denoncimit të bërë nga Bezhani në lidhje me tatimin që u është mbajtur bursistëve dhe që s’është deklaruar në shtet.

viron bezhani

Bezhani i është përgjigjur sërish Stavri Bellos, duke konfirmuar shkeljet e mëdha ligjore të bëra nga sekretari dhe administrata, të cilat kanë shkaktuar një dëm të madh financiar dhe jo vetëm. Bezhani konfirmoi se çështja e bursave ka shkuar në prokurori dhe se tashmë u takon organeve përkatëse që ta ndjekin. Ndërkohë, në një diskutim me mediat ai foli edhe për shumë problematika të tjera që prej kohësh kanë përfshirë KOKSH-in. Më poshtë kemi edhe përgjigjet e Bezhanit për mediat:

Në një deklaratë të publikuar në faqen e KOKSH, nën e emrin e Stavri Bellos, thuhet që është e kundërta, ku çdo gjë është e kontrolluar dhe brenda rregullave.

Në radhë të parë dua të falënderoj Krimin Ekonomik, që më në fund KOKSH nxori disa dokumente, sepse deri tani unë nuk kisha marrë asnjë lloj dokumenti dhe ky është një turp. Për sa i përket vërtetësisë së tyre këtë do t’ua lëmë organeve kompetente, por ju siguroj që nuk do të dalin të tilla. Megjithatë, unë po ju tregoj disa fakte që vërtetojnë se nuk është ashtu siç thonë.

Këtu kemi tabelën që tregon se ky institucion nuk është në shërbim të sportit. Është e turpshme dhe që duhet thënë publikisht se të ardhurat e KOKSH janë 47,809,569 dhe shpenzimet për pagat e sigurimet dhe tatimet shkojnë 8,737,489 plus honorarët 3,196,613. Pra, një shumë prej 11 milionë e 937 mijë lekësh. Ndërkohë, përveç pagave, kemi edhe të ndryshme që janë shpenzime, bileta, telefona e gjithçka tjetër që kapin që kapin 18.5%, e kështu në total i gjithë fondi për administratën shkon në 43%, ndërsa për federatat është 11 mln e 982 mijë, pra 24.5%.

Kjo është e rëndë për këdo që e dëgjon, pasi ne duhet të jemi në funksion të sportit. Për sa i përket tatimit të sportistëve, të cilët marrin shpërblimin nga KOKSH në shumën 1000 apo 900 dollarë sipas përcaktimit që kemi. Nuk ka ligj që këta duhet të tatohen, ku ligji nr. 84/38, datë 28.12.1998 thotë që bursistët nuk tatohen. Nuk ka asnjë vendim për tatimin e sportistëve, e megjithatë ata janë tatuar. Ndërsa nëse i kanë dorëzuar në shtet apo jo, këtë do ta vërtetojnë organet kompetente, por unë dua të them vetëm diçka të vogël: Mora me kënaqësi tabelat që u dhanë më në fund nga KOKSH dhe shikoj që kanë përcaktuar derdhjen e tatimit në shtet.

Kontrollova nga tatimet, shoh që është zero për sportin. Nëpërmjet bankës dhe tatimeve kam vërtetuar që fillimisht kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë në tatimin e bursave, pasi ligji thotë që nuk tatohen. Në aktivitetin e zhvilluar në Tarragona në 2018-ën, 8 persona janë futur me pagesë nga KOKSH, por që nuk ka asnjë vendim për futjen e tyre në lista. Atëherë lind pyetja se cili e ka këtë të drejtë të fusë njerëz jashtë ligjit në aktivitete, që kanë një kosto financiare. Në KOKSH janë bërë mbledhje të jashtëligjshme pa thirrur presidentin. Këto mbledhje kanë brenda tyre miliona lekë që shpërndahen për qoka. Të ndash miliona lekë pa pasur asnjë lloj dokumenti, vetëm në këtë institucion e kam parë. Mjafton të shikosh vetëm materialin e auditit për të kuptuar shkeljet e bëra.

Ju thatë që janë shpërndarë lekë pa miratimin tuaj. Kush i ka marrë këta lekë dhe sa janë dhënë?

Harku ka marrë 7391 dollarë, atletika 4000, taekuondoja 4300, karateja 4000, peshëngritja 6000, çiklizmi 3000, mundja 3000. Sërish 6000 dollarë atletika, xhudo 1000. Të gjitha këto para janë dhënë pa asnjë projekt dhe s’kam parë asnjë lloj dokumenti. Ka qenë vetëm kërkesa e sekretarit ku thuhej se këto federata kanë kërkuar kaq lekë.

Sipas dokumentit që ju paraqitët, rezulton se federata e harkut qenka ndër federatat që paska përfituar më shumë para. A ju duket normale diçka e tillë?

Këtë duhet ta gjykojë vetë komuniteti i sportit, por për mua nuk është aspak normale, sepse ka federata që kanë shumë më tepër cilësi dhe është pak e rëndë që ta marrë harku para tyre. Normalisht do të dilnin me radhë federata si mundja, taekuondoja apo xhudoja që kanë një cilësi shumë herë më të lartë e kështu automatikisht ndarja do të bëhej më ndryshe. Por nëse kjo ndarje bëhet thjesht me një letër përpara, kuptohet që do të kemi një përfundim të tillë.

Pse nuk u shfaqën këto probleme në mandatin e parë dhe si mendoni të veproni në vijim, ku kemi një informacion zyrtar se me vota 7-3 ju jeni i pezulluar nga KOKSH-i?

Po e filloj nga pyetja e dytë, ku mund të them që është e vërtetë, por gjithashtu kemi të bëjmë me një shaka, sepse askush nuk mund ta bëjë diçka që nuk ta lejon ligji. Çfarë është jashtë ligjit, nuk vlen dhe nuk merret seriozisht. Ndërsa për sa i përket pyetjes së parë gjithçka nisi për çështjen e shefit të misionit në Tarragona 2018. Ne bënim mbledhje tri ditët e fundit, ndërkohë kur mora dokumentet nga Spanja ky emër ishte mbyllur dy muaj më parë, kjo ishte e turpshme dhe shkëndija që na bëri të kuptojmë se këtu punohet pas krahëve.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"