“Krenar që luaj për Juven”, Kulusevski: Ronaldo do jetë benzina ime, por kam idhull sulmuesin e Milanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 12:00

“Krenar që luaj për Juven”, Kulusevski: Ronaldo do jetë benzina ime, por kam idhull sulmuesin e Milanit

Dejan Kulusevski është blerja e mad he e kësaj vere nga ana e Juventusit, për plot 44 milionë euro (35 plus 9 milionë bonuse), njësoj si numri që do të mbajë në fanellë, duke nisur nga e diela në mbrëmje, kundër Sampdorias. Mesfushori ofensiv suedez, i cili tregoi që në fillim duke dhënë spunto të rëndësishme, në miqësoren me Novarën, si asisti për Ronaldon, që shënoi golin e parë të vitit, ka bërë dje prezantimin përballë medias italiane, duke konfirmuar të gjitha ndjesitë pozitive, në pritje të sezonit të ardhshëm. Dhe nëse për 20-vjeçarin, Ronaldo do të jetë benzina për të pasur sivjet një marsh më shumë te Juventusi, Dejan nënvizon edhe për elozhet e marra nga milanisti Zlatan Ibrahimoviç, bashkatdhetari të cilin do ta ketë rival në sezonin që pritet të ngrejë sot në orën 19:00 siparin.

dejan-kulusevski

Dejan, cilat janë ambiciet tuaja te Juventusi?

Zgjodha Juventusin, pasi këtu di si të përmirësojnë jo vetëm brenda, por edhe jashtë fushe. Çdo ditë që shkoj në stërvitje është një betejë më vete, sepse çdo ditë stërvitesh më fort sesa në atë paraardhëse. Por mbi të gjitha, jam këtu për të fituar sa më shumë ndeshje dhe normalisht për të ndihmuar shokët e mi. Dua në të njëjtën kohë që të bëj të lumtur qytetin e Torinos, tifozët tanë, sepse e them me bindje se të më ftojë Juventusi që në moshën 20-vjeçare, nuk ka se si të mos më bëjë krenar dhe fatlum. Personalisht kam një karakter të fortë, aq sa nuk dua të fitoj vetëm kampionatin dhe Champions-in, por qoftë edhe një ndeshje miqësore brenda grupit, gjatë stërvitjeve.

Duke parë disa probleme që ka Juvja në sulm, priteni të jeni titullar që me Sampdorian. Sa ju emocionon ky fakt?

Të dielën do të jetë një ndeshje e bukur, por në të njëjtën kohë tepër e rëndësishme. Jam gati që të luaj kudo kërkon trajneri Pirlo dhe realisht, po pres me padurim të bëj debutimin zyrtar me Juventusin.

Çfarë ju shkaktuan brenda vetes fjalët e Ronaldos, pasi u përballët të dy në Portugali-Suedi? Dhe a keni folur në ditët e fundit mbi idetë se si duhet të kombinoni në fushë?

Kristiano është fantastik dhe jam shumë me fat që do të kem mundësinë pikësëpari të mësoj nga ai, por edhe të luaj përkrah tij. Ronaldo është shumë simpatik, flet me të gjithë, por edhe me mua ka folur gjatë. Nuk kemi folur vetëm për aspektin sportiv, por edhe për jetën jashtë fushe. Fjalët e tij për mua janë benzinë në pritje të këtij sezoni të ardhshëm dhe shpresoj që ta ndihmoj sa më shumë atë, edhe në arritjen e objektivave personalë.

Cili është pozicioni që preferoni më shumë në fushë?

Pyetje e bukur… Unë kam luajtur thuajse kudo mes mesfushës dhe sulmit, por jam i sigurt se trajneri Pirlo do të më vërë të luaj në rolin e duhur. Prandaj, unë duhet vetëm të mendoj të luaj dhe të jap më të mirën, qoftë në mesfushë, qoftë si anësor i sulmit, fantazist, sulmues i dytë apo pse jo edhe si “9 fals”. Fundja, shumë do të varet edhe nga kundërshtari që do të kemi përballë. Personalisht ndihem komod në të gjitha këto role që përmenda më lart, ndaj gjithçka varet nga trajneri.

Kulusevski

Përveç Ronaldos, duket se keni fituar edhe zemrën e Ibrahimoviçit?

Po, Ibra ishte ai që më hapi dyert, që askush tjetër në Suedi nuk e kishte bërë. Ka qenë idhulli im, sepse të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson karriera e tij. Dhe në momentin që më erdhi mesazhi i tij, u drodha i gjithi. Shkëmbyem numrat dhe folëm në telefon më pas, edhe për gjëra të rëndësishme. Realisht, pak muaj apo vite më parë, nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do të mund të flisja me Zlatanin.

Çfarë ju surprizoi te Juventusi në këtë fillim të aventurës? Dhe çfarë mendoni se mund t’i sillni ju Juventusit, që kjo skuadër nuk e kishte sezonin e kaluar?

Siç e thashë, çdo ditë këtu është një luftë më vete. Nëse nuk je 100 për qind i përqendruar, të gjithë e dallojnë dhe është normale që nuk mund të pranohesh duke parë nivelin e të tjerëve. Prandaj, mendimi i vetëm sa herë që kalon portën e qendrës stërvitore është ai që të nxjerrësh të gjithë energjinë që ke brenda dhe duhet ta shkarkosh të gjithën në stërvitje, nëse nuk kërkon që të përfundosh në tribunë apo në stol në fundjavë. Ndërsa për sa i përket asaj se çfarë mund t’i sjell Juves, unë them se ndoshta do t’i shtoj shumë shpejtësi kësaj skuadre. Jam një lojtar që më pëlqen të vrapoj, nuk i kam problem kilometrat dhe mbi të gjitha vrapoj në zona të ndryshme të fushës.

Çfarë ndjesie është të stërvitesh nga Pirlo?

Pirlon si futbollist e kam ndjekur shumë dhe nuk jam unë ai që duhet të them se çfarë mrekullish bënte në fushë. Por edhe si trajner më duket e njëjta gjë. Është fantastik dhe shumë i qetë. Personalisht është një nder që të stërvitem nga ai. Më flet shumë gjatë seancave, më ndihmon dhe ndihem me fat që do të kem një legjendë si ai që do të punojë për të përmirësuar lojën time. Nuk ngurron të më japë këshilla që realisht bëjnë diferencën. Dhe premtoj përpara jush se dua të jap edhe më shumë sesa kam brenda, vetëm që të mos zhgënjej trajnerin Pirlo përpara gjithë të tjerëve.

Po Juventusi, çfarë pritshmërish mendoni se ka nga ju?

Askush nuk ka më shumë pritshmëri ndaj meje, sesa kam unë kundrejt vetes sime. Prandaj, nuk ndiej asnjë presion mbi shpatulla. E di, jam vetëm 20 vjeç, por në të njëjtën kohë transferimin te Juventusi e kam marrë si një kënaqësi, një krenari, e cila më bën një njeri shumë të lumtur në botë.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"