Krem karamel para çdo ndeshjeje, kuzhinierja zbulon dietën e Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2018 | 16:22

Krem karamel para çdo ndeshjeje, kuzhinierja zbulon dietën e Luftëtarit

Kur flasim për përmirësimin e performancës profesionale, ushqimi pa dyshim që luan një rol kyç. Dhe futbollistët e dinë fare mirë që veç stërvitjes, duhet t’i kushtojnë vëmendje edhe dietës. Kështu ndodh edhe në Gjirokastër, ku klubi ka menduar që këtë pjesë t’ia lërë në dorë një profesionisteje të vërtetë. Katerina Duka, një kuzhiniere me 40 vite karrierë, është ajo që gatuan për bluzinjtë e Luftëtarit që prej janarit. “Mama” Kato, siç e thërrasin edhe vetë lojtarët, në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport” rrëfen pjatat e preferuara e tyre.

luftetari slloveni

Zonja Katerina, ushtroni prej vitesh profesionin e kuzhinieres dhe në restorantin tuaj ushqehen futbollistët e Luftëtarit. Si ndiheni kur ju shërbeni emrave dhe moshave të ndryshme?

Unë i trajtoj të gjithë si fëmijët e mi. Futbollistët janë djem nënash dhe janë larg familjeve, ndaj edhe i dua të gjithë njësoj. Kam kënaqësi që punoj me këta sportistë dhe ndihem e vlerësuar kur lojtarët më thonë “mama Kato, me ty jemi si në shtëpinë tonë”.

Për futbollistët e Luftëtarit, cila është menyja e përditshme që ata konsumojnë?

Unë kam një eksperiencë të gjatë për trajtimin ushqimor të lojtarëve. Më ka ndihmuar Nimet Shehu, me të cilin kam punuar dhe ruaj respekt të veçantë për qetësinë dhe profesionalizimin e tij kur gatuante. Nga vitet 1985-1990 (ndoshta gabohem vetëm me një vit në kohë), kur trajner i Luftëtarit ishte Hito Hitaj dhe në vitet 2001-2002 me president Grigor Tavon, mësova shumë gjëra lidhur me mënyrën e të ushqyerit të futbollistëve. Kam fituar shumë nga e shkuara dhe kjo eksperiencë më bën që futbollistët t’i shoh si pjesë të familjes sime.

Dhe cilat janë ushqimet që ju u shërbeni zakonisht?

Në qendër të vëmendjes janë ushqimet me përmbajtje karbohidratesh, makaronat, filetot e pulës, nuk përjashtoj mishin e viçit, barbunjat, pastiçot e thjerrëzat. Mund të përmend edhe musakanë, që është e preferuara e tyre. Çdo ditë në tryezën e ngrënies për lojtarët ka “meny” të ndryshme, pra mund të konsumojnë edhe ata që ata duan. Të gjitha produktet bio, pasi kësaj pjese i jap shumë rëndësi. Jam munduar që çdo ushqim djemve t’ua servir të ngrohtë. Në këtë pjesë ndihem si kur u shërbej fëmijëve të mi.

Po me ëmbëlsirat si i kanë raportet?

Krem karameli është i preferuari i tyre. E duan para çdo ndeshjeje.

Ka një orar fiks kur duhet të drekojnë ose darkojnë?

Nuk diskutohet të gjithë janë në oraret e duhura, sidomos në drekë dhe darkë. Me trajnerin në krye, lojtarët nuk lënë asnjë minutë kohë për të humbur. Ky fakt ma lehtëson shumë punën, pasi në restorantin tim ka vende për të gjithë.

Ka lojtarë që kanë preferenca ndryshe për ushqimin?

Këtu është dhe kënaqësia e punës sime si kuzhiniere, pasi si lojtarët e huaj dhe ata vendës s’kanë preferenca të veçanta. Nuk veçoj ndonjë. E kam të vështirë.

A është ndonjëri më i përkëdhelur se tjetri?

Po më ngacmoni më shumë seç duhet. Të përkëdhelur nuk ka, por di të them që të gjithë janë të mrekullueshëm. Gjithsesi, mund të them që Xhekson është i veçantë, por edhe Liçaj si “lab” më befason me humorin e tij. Për një gjë jam krenare, se të gjithë lojtarët më respektojnë sikur të isha nëna e tyre.

Tomor Shehu

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"