Krasniqi “thumbon” Bizhdilin: Nuk sfidoj askënd, por ftoj presidentin e kavajasve që ta ndjekë me vëmendje këtë duel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 22:42

Krasniqi “thumbon” Bizhdilin: Nuk sfidoj askënd, por ftoj presidentin e kavajasve që ta ndjekë me vëmendje këtë duel

Egnatia nuk ka në plan që të gabojë dy herë radhazi. Nëse me Tomorin humbën, ndaj Besës premtojnë kthesën e madhe dhe blindimin e kreut të Grupit A në fazën “play off”. Gëzim Krasniqi parashikon fitoren këtë të diel në Luz, ndërsa kavajasve u kujton se i mundën edhe në fazën e dytë. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi nuk harron të thumbojë edhe presidentin Nexhat Bizhdili, që e fton ta ndjekë me vëmendje këtë duel dhe të kuptojë që rrogozhinasit kanë rival vetëm veten.

Krasniqi Egnatia

“Kalendari na ka vënë përballë Besës në këtë transfertë. Një kundërshtar të cilin e vlerësojmë maksimalisht, por që e kemi mundur një herë përpara përfundimit të fazës së dytë. Edhe këtë herë jam besimplotë se do triumfojmë ne. Nuk sfidoj askënd, por i them presidentit Bizhdili ta ndjekë me vëmendje të madhe këtë duel, i cili do të tregojë detaje të ndryshme në tërësi mes dy klubeve. Besa ka traditën ndër vite, por Egnatia po hap një faqe të re në futbollin shqiptar. Ne kemi marrë hakun tonë në çdo fushë. Jemi ndërtuar për të qenë konkurrues çdo moment. Gjithkush ka synimet e veta, por Egnatia ka rival vetëm veten. Kemi zhvilluar një kampionat me nivel të lartë dhe këtu jemi me forcat tona. Ngjitja në elitë është misioni ynë, që është marrë shumë seriozisht edhe nga ne.

Organizimi perfekt, normalisht që do japë fryte dhe në fund do të kurorëzohemi ne kampionë. Ngjitjen gjithkush e ëndërron, por kur je i kompletuar në çdo drejtim, atëherë mund të tentosh patjetër majat. Jemi të bashkuar që ta mbajmë Egnatian deri në javën e fundit denjësisht në krye me më shumë pikë. Tifozëria është e interesuar çdo ditë për ecurinë e na motivon pa masë. Nostalgjik për periudhën që kam luajtur në Kavajë? Ruaj kujtime nga ajo kohë pasi kanë qenë fillimet e mia. Jam profesionist e do jap më të mirën për fanellën që mbaj veshur. Ndihem komod në rolin tim në prapavijë. Golat? Gjatë lojës vlerësohen rastet që të paraqiten e mundohem të jem pranë portës. Është diçka e bukur kur shënon. Pak rëndësi ka se ku luan. Shpresoj të gjej golin edhe në këtë përballje”, përfundoi kavajasi i rrogozhinasve.

ALDO BUZI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"