“Krasniqi të rrijë më pranë portës”, trajneri Begeja: Kam besim se Teuta do ta fitojë titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2021 | 20:10

“Krasniqi të rrijë më pranë portës”, trajneri Begeja: Kam besim se Teuta do ta fitojë titullin

Edhe pse nuk është pjesë e trajningut në Kategorinë Superiore, Gentian Begeja ndihet pranë kësaj kategorie. Për Teutën, ku është investimi i tij prej dekadash në karrierë, ai kërkon më shumë qetësi e transparencë në zgjidhjen e situatës së saj para portës. Madje, trajneri ka edhe një këshillë të drejtpërdrejtë për sulmuesin Blerim Krasniqi. Gentian Begeja ka qenë futbollist i Teutës në periudha të ndryshme, ku ka fituar 1 herë titullin kampion, ndërsa si trajner, skuadrën blu e ka drejtuar disa herë në sezone të ndryshme. Prej muajsh, Begeja drejton Teutën U-21, ku kërkon të përmirësojë lojtarët në shërbim të ekipit të parë.
Begeja
Si e patë ndeshjen me Partizanin dhe çfarë i mungoi Teutës për të marrë tri pikë?
Ishte një ndeshje e mirë dhe me ritëm. Teuta ishte superiore në zotërimin e topit, por mendoj se i mungoi qetësia para portës. Me pak kujdes mund të dilte fitimtare nga ai duel.

Si shpjegohet fakti që sulmuesit nuk po shënojnë?
Mendoj se është problem psikologjik, asgjë më tepër. Ne kemi qenë lojtarë vetë dhe e dimë shumë mirë që golat nuk shënohen aq thjesht sa duket.
KRASNIQI
Keni ndonjë këshillë për Krasniqin meqë keni qenë vetë sulmues?
Krasniqi është një nga sulmuesit më të mirë në kampionat. Krijon volum të madh loje, por duhet të jetë me pranë portës. Ne i dominojmë kundërshtarët me lojë, por duhet t’i shfrytëzojmë më mirë rastet e krijuara.
Laci goli
Si e shikoni ndeshjen e radhës ndaj Laçit dhe a ka mundësi Teuta të marrë pikët e plota?
Është ndeshje me kundërshtarë direkt dhe e parashikoj të fortë. Laçi ka skuadër të mirë dhe duhet respektuar, por kam bindjen se Teuta do të marrë pikët maksimale në Laç.

A mendoni se Teuta ka dhënë prova për titull këtë sezon?
Pa diskutim. Teuta është ndërtuar për të dalë kampion, por skuadra nuk duhet të futet në presion, sepse ambienti është pozitiv edhe nga ana e drejtuesve, nga stafi, po ashtu dhe brenda grupit.
Vllaznia
Diferencën 9-pikëshe me Vllazninë e shikoni të rikuperueshme?
Mendoj se po. Janë edhe shumë javë në lojë. Kam shumë besim te kjo skuadër dhe shpresoj se në finish, Teuta do të shpallet kampione.

Aktualisht jeni trajner i Teutës U-21. Si po shkon kjo aventurë dhe a ka premisa për të ecur më lart kjo skuadër?
Ndihem mirë, sepse punoj me djem që kanë dëshirë të stërviten, si dhe mbështetja nga klubi nuk na ka munguar. E kam thënë dhe më herët se nuk është objektiv renditja, por rritja dhe përmirësimi i cilësive të lojtarëve, që nesër të jenë kandidatë potencialë për skuadrën e parë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"