E plotë/ Krasniqi: Skënderbeu është ekipi për t’u mundur, ja arsyet për të fituar me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2018 | 22:38

E plotë/ Krasniqi: Skënderbeu është ekipi për t’u mundur, ja arsyet për të fituar me Partizanin

Fitorja në Superkupë duket se motivoi bardhekuqtë në prag të nisjes së kampionatit dhe normalisht që ishte më se e nevojshme pas asaj vere të mbushur me dilema. Mirëpo, për Blerim Krasniqin, sulmuesin e kampionëve, tashmë sfida e vërtetë mbetet ajo ndaj Partizanit për të nisur si duhet sezonin e ri. Në luftë për të mbrojtur titullin kampion, Krasniqi e sheh Skënderbeun si pretendentin kryesor për fitimin e titullit, ndërsa ëndërron një gol në startin e këtij sezoni.

krasniqi

Krasniqi, si u ndiet pas fitimit të Superkupës?

Sigurisht që fitimi i atij trofeu ishte një plus shumë i madh për ne, pasi kishim vërtet nevojë për të marrë një fitore e, mbi të gjitha, ta nisnim sezonin në këtë mënyrë me një trofe. Jemi një grup i mirë lojtarësh me ndërthurje mes eksperiencës dhe të rinjve, prandaj mendoj se kur këto alternohen në mënyrën e duhur, gjithçka bëhet me e lehtë.

Ishte e vështirë ta nisnit kështu pas asaj që ndodhi me ekipin në verë?

Besoj se vështirësia më e madhe ishte te fakti që ekipi pati shumë ndryshime nga sezoni i kaluar dhe jemi shumë lojtarë të rinj që nuk kemi pasur shumë minuta në këmbë gjatë edicionit që lamë pas. Por punuam në mënyrën më të mirë të mundshme gjatë kësaj faze përgatitore dhe arritëm që të rikuperonim në kohë për të qenë gati. Besoj se ky trofe ishte më se i merituar. Gjithsesi, mbetet ende shumë për të përmirësuar dhe do të rritemi ndeshje pas ndeshjeje.

Si u ndie Krasniqi si titulllar në këtë ekip me sulmin e ri?

Personalisht, jam ndier mirë që në momentin e parë kur erdha në këtë ekip, pasi të gjithë më pritën mirë. Me repartin e ribërë duhet pak kohë për t’u përshtatur, por fillimi ishte i mirë. Do të përpiqem që të bëhem një pikë e rëndësishme referimi në ofensivën e Skënderbeut.

Personalisht Krasniqi, si e pret takimin e parë kundër Partizanit?

Më shumë rëndësi ka fitorja e ekipit. Unë personalisht do të mundohem sa më shumë të rritem dhe të eci përpara, me qëllim që të ndihmoj ekipin. Kemi një grup fantastik. Shpresoj që të vijë edhe goli i parë ndaj Partizanit, pasi do të ishte stimul më shumë që të eci përpara.

Si ndihet Krasniqi te Skënderbeu?

Unë jam shumë i kënaqur, pasi jam në ekipin më të mirë shqiptar. Ky ishte maksimumi për mua këtu. Dua që të bëj sa më shumë gola.

Ndaj Partizanit, vetëm për fitore?

Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë se edhe Partizani është një nga klubet që ka objektiv titullin. Ne po e përgatisim mirë këtë takim dhe me udhëzimet e trajnerit Shehi jemi duke bërë shumë mirë. Besoj se do ta fitojmë ndeshjen.

Këtë vit jeni shumë të rinj në ekip, a është një plus për Skënderbeun?

Besoj se ky ekip është i kompletuar dhe nuk është puna se ka futbollistë të rinj, por të rinjtë që janë pjesë e Skënderbeut e kanë treguar veten se janë të denjë për këtë fanellë. Janë të rinj të talentuar dhe mund të çojnë përpara këtë ekip.

Ku e shikon Krasniqi diferencën me Partizanin?

Jemi më të fortë se ata dhe më të përkushtuar për të fituar këtë ndeshje, pasi luajmë ndaj një rivali direkt. Luajmë në shtëpinë tonë dhe mbi të gjitha jemi kampionët në fuqi dhe ekipi për t’u mundur në këtë sezon. Këto janë avantazhet tona.

LLAZI SARO

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"