“Krajën e goditën në pritë”, ish-arbitri Pjetrushi flet sërish për ngjarjen në Apolonia-Tirana: Kastrati nuk ishte aty

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2019 | 21:16

“Krajën e goditën në pritë”, ish-arbitri Pjetrushi flet sërish për ngjarjen në Apolonia-Tirana: Kastrati nuk ishte aty

Engjëll Pjetrushi, njëri prej asistentëve në ndeshjen e Apolonia-Tirana 2-1, të luajtur më 22 prill, del kundër ish-kolegut të tij, Ridvan Kraja. Ai pohon për “Panorama Sport” se rrugës për në Fier u kanë zënë pritë persona të armatosur, të cilët u kanë kërkuar gjyqtarëve që të favorizonin Apoloninë që luftonte për mbijetesë, por mohon që aty të ketë qenë edhe Tahir Kastrati.

engjell pjetrushi

Pjetrushi, a është e vërtetë që ju zunë pritë më 22 prill të vitit 2000?

Po, e vërtetë është.

A i mbani mend personat?

Po, një pjesë i mbaj mend, por nuk kam dëshirë t’u rikthehem polemikave. Ajo ka qenë një periudhë e vështirë për të gjithë shqiptarët, ndaj mendoni pak sa e vështirë ka qenë për ne arbitrat e futbollit.

Çfarë ndodhi në pritën që ju zunë në Frakull?

Na kërcënuan hapur. Ishin disa persona të armatosur dhe na kërkuan të favorizonim Apoloninë. Kolegët e mi, kryesori Astrit Isufi dhe anësori Ridvan Kraja, e kundërshtuan. Pati edhe tension.

Çfarë ndodhi më pas?

E detyruan Isufin të hiqej si i sëmurë. E kishin bërë planin me kohë. Ai nuk mendoj se kishte zgjidhje tjetër. Nuk kishim siguri që të këmbëngulnim shumë. Madje, pati edhe tension në fillim, aq sa anësorin Kraja më duket se e goditën. Po, po, e goditën, kështu e mbaj mend.

A ishte në atë përplasje Tahir Kastrati?

Jo, nuk ka qenë. Ky është trillim. Mua nuk më lidh puna me Kastratin tani, por di t’ju them se ai nuk ka qenë aty. Përtej kësaj, po flasim për një zotëri burrë që nuk mund të përfshihej kurrsesi në të tilla situata. Po flasim për një profesor të nderuar, që mund të ketë edhe të meta, apo gabime, por kurrsesi nuk mund ta akuzojmë për gjëra që nuk i ka bërë. Me bindje u them se Tahir Kastrati nuk ka qenë aty.

Po ish-kolegu juaj, Ridvan Kraja, thotë se Kastrati ka qenë në pritën që ju është bërë juve?

Nuk është e vërtetë. Nuk e di pse e ka thënë Kraja këtë, por unë me siguri jua them se ai nuk ka qenë.

Po Krajën e goditën ata personat që ju zunë pritë?

Unë mbaj mend që e goditën. Kështu më duket.

Çfarë ndodhi më pas?

Po, çfarë mund të ndodhte…? U përpoqëm që të bëjmë sa më mirë detyrën, por duhet të merrni në konsideratë rrethanat. Ashtu ishte Shqipëria e atyre viteve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"