Krahasimi i 25 javëve/ Kukësi më i dobët i epokës “Gjici”, shikoni statistkat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2021 | 16:13

Krahasimi i 25 javëve/ Kukësi më i dobët i epokës “Gjici”, shikoni statistkat

Historia e Kukësit në Superiore është e pakët, pasi luajnë sezonin e nëntë në elitën e futbollit shqiptar. Por, edhe pse një ekip i “ri” me stofin e një skuadre elite, verilindorët kanë qenë ndër skuadrat më të suksesshme të këtij rrugëtimi 9-vjeçar, ku veçohet fitimi i titullit të parë dhe të vetëm kampion, ai i sezonit 2016- 2017. Që nga debutimi mes më të mirave në Shqipëri, Kukësi ka qenë gjithnjë krah pretendentëve dhe në tetë sezonet e fundit kanë siguruar që të marrin pjesë në Europë, duke realizuar në njëfarë mënyre edhe objektivin minimal që ka pasur klubi. Gjithsesi, këtë herë Europa është vënë vërtet në rrezik dhe sezoni mund të shkojë drejt dështimit nëse në ndeshjet e mbetura skuadra nuk bën kthesën në rezultate.

Kukesi

KRAHASIMI – “Panorama Sport” hulumtoi rreth paraqitjeve të verilindorëve në nëntë sezonet e skuadrës në Superiore, sa u përket 25 ndeshjeve të para. Rezultati është i qartë: ky është sezoni më i dobët i tyre në të gjitha aspektet, si nga pikët e grumbulluara edhe nga paraqitjet e bëra. Kurrë më parë, Kukësi nuk kishte rënë nën kuotën e 40 pikëve pas 25 ndeshjeve, ndërsa këtë sezon, skuadra ka grumbulluar vetëm 32 pikë, me një bilanc prej vetëm 9 fitoresh, 5 barazimesh dhe plot 11 humbjesh. Ecurinë më të mirë sa u përket pikëve skuadra e ka patur në sezonin 2014- 2015, me 52 pikë, por në fund u shpallën nënkampionë, sepse ishte Skënderbeu ai që ngriti trofeun. Ndërsa në 2016-2017 kur fituan kampionatin, skuadra pas 25 ndeshjesh grumbulloi 51 pikë dhe bie në sy që nuk kishte koleksionuar asnjë humbje, 13 fitore dhe 12 barazime.

Gjici-Nexhipi

EUROPA – Objektivi i vetëm që mund të shpëtojë në njëfarë mënyre sezonin, edhe pse duket një mision shumë i vështirë është që të mos prishë “traditën” dhe të marrë pjesë në Kupat e Europës. Një klub që ka financuar shumë, e ka detyrim arritjen e këtij objektivi, por ky vend është plot 11 pikë larg, ndërkohë që kanë mbetur edhe 11 ndeshje për të luajtur. Rekordi negativ i këtij viti, për fat të keq mund të sjellë edhe rekordin negativ të mos pjesëmarrjes për herë të parë në Europë që nga prezenca e parë në Superiore e skuadrës. Gjithsesi, në lojë janë edhe 33 pikë dhe nëse kuksianët bëjnë kthesën, edhe pse kanë gjashtë ndeshje radhazi që nuk provojnë “shijen” e fitores në kampionat, mund të shpëtojnë sezonin. Dhe, si për ironi të fatit, rruga për në Europë në ndeshjet e mbetura kalon nga kundërshtari i kësaj jave, Skënderbeu, me të cilin verilindorët kanë rivalizuar shpesh këto nëntë sezone midis tyre. Një hap fals ndaj korçarëve, të cilët i ka mundur dy herë këtë sezon do t’i nxirrte thuajse përfundimisht nga gara.

stat

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"