“Kovaçin e përzunë lojtarët”, presidenti i Bajernit tregon të vërtetën: Vura re që …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 16:55

“Kovaçin e përzunë lojtarët”, presidenti i Bajernit tregon të vërtetën: Vura re që …

Për presidentin e Bajer nit Uli Hënes mbajtja e Hansi Flik edhe për disa ndeshje në krye të skuadrës është një mundësi. “Një gjë është e sigurt, pas dy ndeshjeve shumë të mira gjatë javës në Champions dhe kampionat, nuk mund ta largojmë trajnerin menjëherë dhe të marrim një tjetër për të punuar disa muaj”, tha Hënes në emisionin “Doppelpass” një ditë pas fitores 4-0 ndaj Borusia Dortmund në “Allianz Arena”.

uli henes

Një javë pas humbjes 5-1 ndaj Frankfurtit që çoi në largimin e Niko Kovaçit nga skuadra, 67- vjeçari Hënes zbuloi një detaj të rëndësishëm për sa i përket shkarkimit të kroatit. “Ishin disa arsye që sollën largimin e Kovaçit. Kuptova se disa lojtarë në skuadër nuk e donin më atë në pankinë. Ndaj vendosëm së bashku me Rumenigen dhe Salihamixhiç për t’i dhënë një zgjidhje situatës, e cila për hir të së vërtetës nuk ishte optimale.

Kjo u pa edhe në performancën e skuadrës në fushën e lojës”. Sipas Hënes, ende nuk është marrë një vendim për zëvendësuesin e Kovaçit. “Nuk është marrë ende asnjë vendim. Me shumë mundësi do të ulemi në javët e ardhshme për të vendosur se çfarë rruge do të ndjekim. Do të marrim mendimin edhe të Hansi Flik. Nuk përjashtojmë mundësinë që ai të qëndrojë me ne edhe në javët e ardhshme”. Me dy fitoret e arritura në dy takimet e fundit, klubi bavarez duket se ka fituar pak kohë për sa i përket trajnerit të ri. Java që lamë pas ishte e mbushur me spekulime për sa i përket zëvendësuesit të Kovaç.

Henes-Kovac

Arsen Venger ishte një nga kandidatët kryesorë për të nisur bashkëpunimin me gjermanët, por palët duket se nuk kanë rënë dakord. “Fitorja ndaj Olimpiakosit dhe Dortmundit ishte shumë e rëndësishme për sa u përket objektivave që kemi. Trajneri i ri nuk duhet të jetë një njeri që do të zërë përkohësisht vendin në bankinë, por për të çuar deri në fund një projekt që kemi nisur prej kohësh”, tha Hënes.

Kujtojmë se 67-vjeçari është duke kaluar ditët e fundit si president i klubit më të titulluar në Gjermani. Pas disa javësh ai do ta lërë këtë post për t’ia hapur vendin Herbert Hainer, i cili do të jetë me shumë mundësi presidenti i ri i skuadrës së Bajernit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"