Kovaçiç e Ranokia i japin gëzimin e parë Mançinit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2014 | 11:11

Kovaçiç e Ranokia i japin gëzimin e parë Mançinit

KovacicPër t’u rikthyer te fitor ja, Interit iu deshën plot 47 ditë. Për herë të fundit zikaltrit kishin mundur në shtëpi Sampin, ndërsa dje fituan në “Bentegodi” duke mposhtur Kievo Veronën. Midis këtij harku kohor milanezët ndryshuan trajner dhe shumë gjëra të tjera. Heronjtë e mbrëmjes ishin Kovaçiç dhe Ranokia që kur sulmon jashtë “San Siro”-s, transformohet në një bomber. Ndërsa jo më pak “tërheqës” ishin edhe tifozët e Interit. Prej sektorit ku ishin akomoduar, u dëgjuan thirrje si: “Mario Baloteli, bir k…!”.

Zhbllokohet Mateo – Për një natë Interi u udhëhoq nga parimi i Juventusit. Fitorja ishte gjithçka që kishte rëndësi, pasi vetëm kështu morali në ekip do të qëndronte i lartë si dhe fundi i 2014-ës të kishte një kuptim. Këtë duel Manço e nisi me risi, pasi në mbrojtje preferoi që të aktivizonte nga e djathta D’Ambrozion duke postuar në të majtë Nagatomon që i zuri vendin Dodosë. Ndërsa Maran rreshtoi formacionin ideal, atë që në 5 takimet e fundit nuk njihte humbje në Serinë A. Gjithçka u pa që në fillim të ndeshjes. Milanezët kishin udhëtuar në Verona me dëshirën për të bërë ndeshjen ndërsa ekipi vendës shpresonte te kundërsulmet e shpejta të Paloskit.

Gjithsesi shansin e parë për të kaluar në avantazh e pati Kievo që me atë të ishsulmuesit të Milanit vuri në provë Handanoviçin. Pas këtij episodi, Interi ndryshon skenarin e tërë takimit. Nagatomo nga e majta hodhi bukur topin në zonën e Kievos aty ku Ikardi u ngrit mbi gjithë të tjerët për ta ulur me kokë topin që shkon e mbetet në këmbët e Kovaçiçit. Kroati, që s’gjente rrugën e rrjetës prej shtatorit, ballë për ballë me portierin nuk gaboi dhe kthen në gol një asist të bukur të argjentinasit që ashtu si vjet, fitoi edhe duelin në fushë me Maksi Lopezin (e nisi takimin nga pankina).

Reagimi – Fraksioni i dytë u luajt me ritme normale, edhe pse skuadrat në fushë po kalonin parashikimet. Paloski edhe një herë rrezikoi portën e Interit edhe pse kësaj radhe nuk ia doli që të fuste topin në kuadrat. Kështu, me kalimin e kohës, doli në sipërfaqe kualiteti i miqve. Radovanoviç shpëtoi Kievon nga një gol i dytë që nuk do të vononte. Kështu, në minutën e 55-të, autori i rrjetës që do të mbyllte takimit do të ishte Ranokia që pas një harkimi të D’Ambrozios dërgoi topin pas shpinës të Bixarrit. Në minutat e mbetura nuk ndodhi asgjë për t’u nënvizuar, përveç kartonit të kuq që mori Bota për sjellje të dhunshme në fushë. Interi mori një fitore që e ndihmon t’i afrohet vendit të tretë, i cili tashmë është 6 pikë larg

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"