Kovaç super, Bajerni ka gjetur trajneri ideal. Ja sekretet e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 22:03

Kovaç super, Bajerni ka gjetur trajneri ideal. Ja sekretet e skuadrës

Pas ndeshjes në javën e dytë, trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, u shpreh se do të shfrytëzonte pushimin dyjavor për t’i bërë një analizë ecurisë së skuadrës që renditet në vendin e parë me gjashtë pikë pas dy fitoreve radhazi në dy takimet e para, me Hofenhaimin në “Allianz Arena” dhe në Shtutgart. Por “Bild” i ka kursyer mundimin trajnerit dhe ka bërë vetë një analizë të shkurtër për ecurinë e kampionëve në këto dy muaj e gjysmë nën drejtimin e teknikut kroat. Sipas gazetës prestigjioze gjermane, Kovaç jo vetëm që ka kaluar klasën në këtë fillimsezoni, por edhe është vlerësuar maksimalisht nga i gjithë opinioni sportiv në Gjermani.

kovac

SUKSESI: NOTA 1

Katër ndeshje zyrtare të fituara duke përfshirë këtu edhe ndeshjen e Superkupës ndaj Frankfurtit me rezultatin 5-0. Në kampionat skuadra ka gjashtë pikë në dy ndeshje. Ndërkohë, në pesë ndeshjet miqësore gjatë verës, trajneri arriti të fitonte 2 ndeshje me Mançester Junaitid dhe Parisin. Vetëm dy humbje, një ndaj Juventusit dhe një Mançester Sitit në turneun e zhvilluar në Amerikë.

TAKTIKA: NOTA 3

Trajneri ka pasur shumë pak kohë të për të përgatitur skuadrën e plotë, kjo pasi lojtarët që luajtën në Botëror erdhën me vonese në përgatitjet e verës sepse ishin me pushime. Ndaj Kovaç vazhdon të luajë me skemën 4-1- 4-1. Për të parë një skuadër shumë sulmuese, duhet të presim edhe pak, por në repartin e mbrojtjes skuadra ka treguar stabilitet. Vetëm 1 gol të pësuar në katër ndeshje zyrtare duke shënuar 12 herë në portën e kundërshtarëve.

ATMOSFERA NË SKUADËR: NOTA 2

Kovaç është shumë i përfshirë në lojërat e stërvitjes, sidomos në këto ditët e fundit. Ai qesh shumë dhe bën shaka me lojtarët. Është një tip që pranon shakanë, por dhe di të mbajë distancën kur është momenti i duhur. Kroati arriti të bindë Robert Levandovskin të qëndrojë duke refuzuar kalimin te Reali i Madridit. Polaku është rikthyer ai i vjetri duke shënuar pothuajse në çdo takim të luajtur me Bajernin. Ndërsa mbrojtësit Rafinja i është dhënë një pushim i gjatë për të vizituar familjarët e tij në Brazil. Arjen Roben dhe Frank Riberi duket se kanë pranuar zgjedhjet e trajnerit, edhe pse holandezi ishte i pakënaqur me aktivizimin e tij jo nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Hofenhaimit. Mats Humles gjithashtu ishte në 11-shen e parë në ndeshjen debutuese duke pranuar me qetësi vendimin e teknikut.

FORMA FIZIKE: NOTA 1

Kingslei Koman është i vetmi lojtar që është dëmtuar, kjo pas një ndërhyrjeje të gabuar nga Shulc në ndeshjen e parë. Të gjithë lojtarët e tjerë janë rikthyer me një gjendje shumë të mirë nga përgatitjet në “Tegernesee”.

PRESIDENCA: NOTA 1

Trajneri ka mbështetjen e plotë nga Uli Hënes dhe Karl Hainc Rumenige që i besojnë plotësisht teknikut kroat. Hasan Salihamixhiç gjithashtu është shprehur me superlativa për ish-lojtarin e Bajernit.

TIFOZËT: NOTA 2

Të shumtë ishin tifozët që kishin dyshime se Niko Kovaç do të ishte i duhuri për të drejtuar bavarezët. Skuadra është ndërtuar për të fituar tituj dhe tifozët janë shumë entuziastë duke parë startin e kampionatit. Dy fitore në ndaj dy kundërshtarëve relativisht të fortë i kanë dhënë siguri tifozërisë bavareze që shpreson të kthehet sërish në majat e futbollit europian duke filluar me fitimin e Champions-it, trofe që i mungon që nga sezoni 2012-2013.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"