Kovaç mesazh senatorëve te Bajerni, ja “viktimat” e para nga skemat e trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2018 | 21:17

Kovaç mesazh senatorëve te Bajerni, ja “viktimat” e para nga skemat e trajnerit

Bajerni fitoi bind shëm në ndeshjen e parë ndaj Hofenhaimit, të paktën kështu thonë statistikat, por një tifoz i vërtetë bavarez, duke u zhveshur nga çdo lloj kompleksi, mund të thoshte se skuadra që luajti të premten në darkë nuk ishte ajo që mund të fitojë Championsin. Por duke lënë në një anë analizën e ndeshjes, ajo që ra në sy ishte lënia jashtë nga formacioni i parë i Humels, Roben dhe Hames Rodrigez.

Holandezit, edhe pse ishte nga më të mirët në fazën përgatitore me bavarezët, nuk iu besua krahu i djathtë në sulmin e skuadrës. “Fëmijët janë të lodhur dhe duhet të flenë gjumë”, iu përgjigj ai shkurt gazetarëve që ndodheshin në zonën miks të “Allianz Arena”. Fjalë këto që tregojnë ambientin e trazuar në skuadrën kampione të Gjermanisë. Roben shënoi golin e tretë duke treguar edhe një herë tjetër rëndësinë që ka ai për skuadrën e Bajernit. Trajneri Kovaç arriti të debutonte me fitore në kampionat duke mos bërë asnjë revolucion taktik, por duke luajtur me stilin e vjetër të skuadrës, shumë hapësira dhe sa më afër portës kundërshtare. “E rëndësishme ishte ta fillonim ndeshjen në rrugën e duhur”, u shpreh ai pas ndeshjes. Bajerni në fushë ngjante me atë të Hejnkes në sezonin e fundit.

kovac

Por trajneri dërgoi një mesazh të fortë te të gjithë senatorët, që në skuadër do të luajë ai që e meriton dhe duke parë konkurrencën e madhe në skuadër, kjo do të jetë një “luftë e ftohtë” midis trajnerit dhe lojtarëve. Kjo mund të çojë në dy gjëra, zhbalancim të skuadrës dhe prishje të grupit që në fund mund të përfundojë me shkarkimin e trajnerit ose në një konkurrencë të frytshme që mund të sjellë suksese. Duke parë relatat e trajnerit me dy drejtuesit kryesorë Hënes dhe Rumenige që i besojnë kroatit, teza e parë mund të bjerë që në start.

Bundesliga dhe rivaliteti

Skuadra e Hofenhaimit tregoi sesi Bajerni mund të vihet në vështirësi, pjesa e dytë foli për miqtë që për pak mund të merrnin një pikë në “Allianz Arena”. Gjithsesi, Bajerni dha shenja që mund të jetë sërish dominues në Bundesligë falë cilësisë dhe sasisë së lojtarëve që ka në dispozicion trajneri Kovaç. Kjo përbën edhe një rrezik, sidomos në mesin e fushës, ku konkurrenca është shumë e madhe, edhe pse gjatë merkatos së verës u larguan Arturo Vidal dhe Sebastian Rudi që dje firmosë për Shalken. Kovaç duhet të gjejë një vend për Hames, Tiago, Toliso, Myler, Sançez, Gorecka dhe Martinez. Mats Humels gjithashtu nuk do të pranojë të qëndrojë në stol.

Dëmtimi i Komanit dhe pasojat

Kinglsei Koman la fushën i dëmtuar pas një ndërhyrjeje të gabuar të Shulc në minutat e fundit të pjesës së parë. Francezi iu nënshtrua një operacioni dhe do të mbetet jashtë fushave për të paktën tre muaj. Kovaç me shumë mundësi do t’i besojë Arjen Robenit një vend në formacionin e parë, por duke menduar se 34-vjeçari mund të dëmtohet, skuadra mbetet me vetëm një lojtar krahu të mirëfilltë, Serge Gnabri, që vuan një dëmtim muskulor dhe nuk ishte ndaj Hofenhaimit. Këtu vijnë edhe problemet e para të trajnerit, i cili më pas duhet të spostojë disa lojtarë të mesfushës për të zëvendësuar ato të krahut. Por kroati i ka marrë mirë masat duke mbajtur lojtarët kryesorë në skuadër pikërisht për këtë qëllim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"