Kovaç bën gati listën e blerjeve tek Bajerni, por bavarezët janë të mbipopulluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2018 | 20:34

Kovaç bën gati listën e blerjeve tek Bajerni, por bavarezët janë të mbipopulluar

Bajerni i Mynihut ka filluar përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Niko Kovaç. Ish-lojtari bavarez është rikthyer në Mynih, këtë herë në rolin e trajnerit. Ai nuk ka humbur kohë dhe ka filluar menjëherë stërvitjen me lojtarët që ka në dispozicion, edhe pse shumë prej tyre nuk i janë bashkuar skuadrës pasi ndodhen me pushime. Bëhet fjalë për lojtarët që luajtën me Gjermaninë dhe Toliso që luan finalen me Francën.

Drejtori sportiv, Salihamixhiç, ka filluar gjithashtu punën për të sjellë në skuadër lojtarët e dëshiruar për trajnerin. Edhe pse ai ka respektuar projektin e nisur disa vite më parë nga drejtuesit Hënes dhe Rumenige që kanë premtuar që të forcojnë sektorin e akademisë së klubit. Duke filluar me afrimin e trajnerit Miroslav Klose si trajneri i moshave dhe Mehmet Sholl në rolin e mbikëqyrësit. Por merkato e vërtetë duket se do të fillojë në mesin e muajit korrik. Kovaç i ka paraqitur një listë drejtuesve dhe Salihamixhiçit ku kërkon të paktën tre lojtarë.

kovac bajern

REPARTI I SULMIT

Edhe pse trajneri tha në prezantimin e tij që sulmuesi polak Robert Levandovski nuk do të largohet, drejtuesit duket se mendojnë ndryshe. Ata do të jenë të gatshëm ta shesin lojtarin për një shifër mbi 100 milionë euro. Me largimin Ronaldos te Juventusi, Leva mund të përfundojë në Madrid. Benzema dhe Bejl priten gjithashtu të largohen nga galaktikët dhe Perez kërkon të plotësojë boshllëqet. Kovaç ka kërkuar kroatin Rebiç dhe gjermanin Timo Verner që luan në Lajpcig.

Rebiçin, trajneri e njeh nga koha kur drejtonte Frankfurtin, kohë që nuk është shumë e largët. Kroati është një lojtar i shpejtë dhe i duhuri për skemat e trajnerit. Verner, gjithashtu, sulmuesi që luajti në formacionin e parë në ndeshjet e Botërorit për Gjermaninë, shihet si pasardhësi i Mirolav Kloses. Vetë Verner deklaroi se për t’u rritur dhe për t’u bërë një lojtar i madh duhet të luante në një skuadër të madhe. Ndërsa i treti është francezi Pavard, që luan për Shtutgartin. Mbrojtësi i krahut të djathtë me shumë mundësi do të lëvizë nga klubi aktual dhe Bajerni është i gatshëm të shpenzojë 35 milionë euro për të.

MË PARË DUHET SHITUR

Hënes dhe Rumenige nuk e kanë kundërshtuar trajnerin për merkaton që ai dëshiron të kryejë. Por skuadra është e mbipopulluar që nga koha e Jup Hejnkesit. Më parë duhet të shiten disa lojtarë përpara se të fillojnë blerjet. Vidal është i pari në listë duke u pasuar nga Boateng, që ka deklaruar se dëshiron të luajë jashtë Gjermanisë. Alaba mund të përfundojë në Madrid nëse Marselo vendos t’i ribashkohet Ronaldos te Juventusi. Tiago ka kërkuar largimin për në Spanjë dhe braziliani Bernat mund të shkojë në Serinë A. Napoli dhe Inter kanë shfaqur interesim për të. Bajerni i sezonit të ri do të ketë një fytyrë tjetër nga ai i kaluari, duke filluar që nga stoli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"