Kotobelli: Teuta nuk është për mbijetesë, do t’i ikim fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 17:08

Kotobelli: Teuta nuk është për mbijetesë, do t’i ikim fundit

Në mungesë të Emiliano Vilës së dëmtuar, shiritin e kapitenit te Teuta e ka mbajtur së fundmi mbrojtësi i majtë, Blerim Kotobelli. Në prag të ndeshjes me Partizanin, në një bisedë për “Panorama Sport”, titullari i durrsakëve beson se shumë shpejt skuadra do t’u largohet vendeve të fundit të tabelës. Kotobelli mendon se Teuta i ka të gjitha mundësitë të marrë pikë edhe në transfertën kundër Partizanit.

kotobelli

Blerim, pas atij barazimi ndaj Egnatias, si e ndieni veten tashmë?
Normalisht që barazimi ndaj Egnatias, si fillim na shërbeu shumë nga ana psikologjike, për më tepër që zhvilluam një ndeshje të mirë. Për fat të keq nuk arritëm dot të fitonim, por do të shohim përpara, sepse kemi një kalendar të ngjeshur. Kjo na bën që ta përgatisim ndeshjen ndaj Partizanit me të qetë dhe shpresoj që të vazhdojmë me ketë ritëm.

Çfarë prisni nga ndeshja me Partizanin?
Dueli me Partizanin dihet që është shumë i fortë. Presim të japim shpirtin në fushë të gjithë lojtarët, siç e kemi dhënë deri në këto momente. Unë besoj se do të luftojmë për maksimumin në Tiranë, duke vijuar me lojën e mirë që bëmë edhe në ndeshjen e fundit.

Të kuqtë vijnë pas një barazimi ndaj Kastriotit, mendoni se presioni do të jetë më i madh tek ata në këtë takim?
Nuk besoj që Partizani është nën presion, duke ditur ambientin aty, pasi kam luajtur disa vite me atë fanellë. Mendoj se nuk ndikon fare barazimi i tyre ndaj Kastriotit, pasi kjo është një ndeshje tjetër. Unë shikoj ekipin ku jam tani dhe shpresoj që nesër të jemi të gjithë të bashkuar dhe të dalim nga ajo ndeshje me një rezultat pozitiv.

Me ekipin që ka Teuta, deri ku mund të shkojë?
Teuta i ka të gjithë mundësitë të jetë në pjesën e sipërme të klasifikimit, por si unë dhe të gjithë shokët e skuadrës shohim ndeshjen e radhës në këto momente që jemi.

Jeni kthyer në lojtarë “xhol” për Martinin, por a mund të na thoni se në çfarë pozicioni ndiheni më mirë?
Unë do të luaj aty ku ka nevojë skuadra, qoftë si qendërmbrojtës apo mbrojtës i majtë. Nuk ka asnjë problem për mua për këtë pjesë, pasi e kam eksperiencën e duhur për të luajtur në çdo rol që do trajneri.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"