Kotobelli me objektiva të qarta: Flamurtari kap 3 vendet e para, ja ku duhet kujdes ndaj Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 16:19

Kotobelli me objektiva të qarta: Flamurtari kap 3 vendet e para, ja ku duhet kujdes ndaj Luftëtarit

Blerim Kotobelli e shikon Flamurtarin në rrugën e duhur për të realizuar objektivat sezonale. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i bën “skanerin” gjendjes së ekipit, por edhe kundërshtarëve. Ai ndalet te Luftëtari, ndërsa hapur thotë që duhet të kenë kujdes nga kundërsulmet e tyre. “Mendoj se deri më tani jemi në rrugën e duhur për arritjen e objektivit që kemi. Jemi një pikë larg zonës së ‘Europës’ dhe e vetmja gjë që na mbetet është që të ruajmë vazhdimësinë me rezultatet pozitive.

kotobelli

Ndeshja me Luftëtarin është shumë e rëndësishme. E kemi vlerësuar kundërshtarin dhe mendoj se është një ekip që përdor shumë kundërsulmin. Por, ne do të hyjmë në fushë për ta fituar këtë 90-minutësh”, tha fillimisht 26-vjeçari. Ai u ndal edhe te ndeshja e së dielës me Skënderbeun, ndërsa tha: “Le të mendojmë fillimisht për ndeshjen e radhës. Kjo është sfidë që duhet vlerësuar, ndaj le t’i marrim javët një e nga një. Ka kohë për të folur për Skënderbeun, ndaj të mos shpërqendrohemi më kot. Sa i përket ndeshjes mes Laçit dhe Skënderbeut që rrezikoi të shtyhej, për fat u gjet gjuha e përbashkët. Ndeshja duhej që të luhej dhe nuk duhet që të favorizohet asnjë ekip me shtyrje të tilla”.

OBJEKTIVI – Numri 17 i vlonjatëve e cilëson Flamurtarin një ekip që do të garojë për tri vendet e para, së bashku me Partizanin, ekipin që ai ka qenë pjesë sezonin e kaluar. Lojtari premton maksimumin për vlonjatët. “Në Vlorë ndihem shumë mirë. Është një qytet dhe një klub super. Mendoj të luaj sa më shumë dhe gjithmonë kur më jepet besimi për të zbritur në fushë.

Do të bëj gjithmonë maksimumin për arritjen e objektivave të klubit. Kam shumë bindjen se objektivat do të arrihen, pasi kemi një grup shumë të mirë. Partizani? Të dyja ekipet, si Flamurtari dhe Partizani, këtë sezon luftojnë për tri vendet e para. Nuk është se kam ndonjë ndjesi të veçantë që kam qenë pjesë e Partizanit, pasi unë jam profesionist dhe si i tillë mund të flas vetëm për ekipin, ngjyrat e të cilit mbroj. Gjithsesi, i uroj Partizanit vetëm suksese”, përfundoi Kotobelli.

E. Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"