Kotobelli: Gabuam me Kastriotin, Teuta e mund Laçin. Këtë sezon, përsëri me trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2021 | 16:22

Kotobelli: Gabuam me Kastriotin, Teuta e mund Laçin. Këtë sezon, përsëri me trofe

Blerim Kotobelli ishte një nga lojtarët më aktivë për Teutën në sfidën ndaj Korabit për raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Mbrojtësi i majtë, për “Panorama Sport”, flet për ecurinë e Teutës, ndeshjen e Kupës dhe për vazhdimësinë. Ai beson se ndaj Laçit ekipi do t’ia dalë të marrë maksimumin, pavarësisht vështirësisë që ka ajo sfidë.

Kotobelli

Ishte kjo fitore ndaj Korabit një lloj autokritike pas barazimit në kampionat?
Po, absolutisht. Kjo ishte një fitore që vlen si për moralin, por edhe për vazhdimësinë në Kupë. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, Korabi është një skuadër e mirë dhe ishte një ndeshje shumë taktike. Ishte një ndeshje e bukur dhe kjo ishte fitore e rëndësishme.

Çfarë ndryshoi te Teuta pas barazimit me Kastriotin?
Nga ajo ndeshje kemi ndryshuar shumë, pasi rregulluam gabimin e bërë në pjesë të ndryshme të ndeshjes. Nga ajo ndeshje mësuam se mospërqendrimi të sjell pasoja e këtë fakt na e vuri në dukje trajneri. Ne iu përgjigjëm pozitivisht thirrjes së tij dhe ja ku jemi sot. Mund të ndodhin të tilla gjëra, por duhet të kemi kujdes, që të mos përsëriten më.

Në Laç ju duhet fitorja, por Teuta ka shumë kohë që nuk merr dot tri pikë në këtë fushë. Çfarë prisni?
Ky kampionat është bërë i pabesueshëm nuk e di në çdo moment se si mund të vijë ndeshja nëse do të fitosh ose do barazosh. Ky kampionat do të futet në një rrjedhë që do të zgjidhet në ditën e fundit. Teuta është me moral të mirë para Laçit deri më tani, gjithsesi kjo është një ndeshje që duhet luajtur dhe fituar. Ekipi duhet të hyjë në fushë me mendimin për ta fituar ndeshjen, pastaj do të shihet çfarë sjell fusha e lojës.

Si e parashikoni këtë takim, në këtë situatë do t’ju kënaqte edhe një pikë me Laçin apo nuk vlen?
Kemi pak ditë për të rikuperuar forcat. Ne shkojmë në çdo ndeshje për të marrë tri pikët, natyrisht që dhe barazimi është pozitiv, por unë votoj dhe dëshiroj fitoren.

Çfarë i druheni më shumë në këtë përballje?
Ndoshta fjala “i druhemi” nuk është ajo e duhura. Duhet të kemi kujdes, pasi Laçi i nevojiten pikë dhe ka një ekip mjaft kualitativ.

Teuta krijon shumë volum loje, aksione të rrjedhshme dhe shkon te porta, por nuk shënon. Si mund të riparohet?
I tillë është futbolli, ka pasur ndeshje që kemi shënuar edhe 2-3 gola kur kemi qenë të kujdesshëm dhe kemi shfrytëzuar raste. Me Korabin krijuam shumë raste, korne, sulme, por nuk ke çfarë bën, i tillë është futbolli.

Teuta ka më shumë shanse për të marrë titullin apo Kupën, si mendoni?
Nëse do të jemi të përqendruar si ekip, do të arrijmë larg në të dyja fronet, pasi çdo gjë është në dorën tonë. Gjithsesi, do të ketë shumë rivalitet dhe natyrisht çdo ekip do të kërkojë që të arrijë më të mirën. Unë besoj se jo vetëm që do t’ia dalim, por do të marrim një trofe.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"