Kotobelli: Fitorja është detyrim për Teutën, me rrogozhinasit gjithnjë e vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2023 | 10:15

Kotobelli: Fitorja është detyrim për Teutën, me rrogozhinasit gjithnjë e vështirë

Teuta është e “dënuar” të fitojë ndaj Egnatias, pasi kërkon me çdo kusht të jetë afër kreut. Collage Maker-19-Mar-2023-09-31-AM-2081Mbrojtësi i majtë, Blerim Kotobelli, në intervistën për “Panorama Sport” para ndeshjes së të dielës me Egnatian, u shfaq optimist, teksa theksoi se është momenti për të dhënë maksimumin në këtë javë.

Pas kalimit në gjysmëfinale, si e ndieni veten tashmë?

Normalisht që ai kualifikim ndaj Kukësit, si fillim na shërbeu shumë nga ana psikologjike, ku kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, të cilën për fat të keq nuk arritëm ta fitojmë. Kjo na bën që ta përgatisim ndeshjen ndaj Egnatias me të qetë dhe shpresoj që të vazhdojmë më ketë ritëm.

Çfarë prisni nga ndeshja me rrogozhinasit?

Dueli me Egnatian dihet që është shumë i fortë. Presim të japim shpirtin në fushë të gjithë lojtarët, siç e kemi dhënë deri në këto momente. Shpresojmë të vazhdojmë me ritmin e duhur dhe të marrim tri pikët që të vijojmë me ecurinë pozitive.

Mund t’ju shkojë përshtat një barazim në këtë sfidë?

Në dy përballjet e mëparshme të këtij sezoni ne kemi fituar një ndeshje ndaj Egnatias dhe kemi barazuar një tjetër, por në futboll nuk i dihet asnjëherë se çfarë ndodh. Kështu që duhet parë se çfarë do të ndodhë këtë javë. Megjithatë besoj se do të fitojmë.

A ka presion ekipi para kësaj ndeshjeje?

E kemi detyrim të fitojmë. Rezultat tjetër nuk mendoj. Do të tentojmë të bëjmë më të mirën, besim kemi, çunat kanë besim, do e tentojmë dhe shpresojmë t’ia arrijmë. Presion ka te çdo skuadër, edhe ne kemi presion, do të thosha pozitiv, që ta kalojmë këtë ndeshje.

Është fitimi i Kupës një objektiv i Teutës në këtë sezon?

Të gjithë dëshirojmë të bëjmë njësoj si viti i kaluar, ku zhvilluam një kampionat që nuk e priste askush tjetër përveç nesh. Kemi besim në mundësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë të mundur fitimin e Kupës.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"