Kostiç: Besoj te Luftëtari im, i kam studiuar letonezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2018 | 12:29

Kostiç: Besoj te Luftëtari im, i kam studiuar letonezët

Edhe pse pranon që ekipi nuk është ende në 100 për qind të formës, ai beson se Luftëtari i tij do ta kalojë kundërshtarin letonez. Dy ditë pas mbërritjes nga Sllovenia, ku për 13 ditë gjirokastritët kryen një minifazë përgatitore në prag të ndeshjes së Ligës së Europës ndaj Ventspils, trajneri bluzi foli për “Panorama Sport”. Kostiç sheh si avantazh të vetëm të rivalit faktin që është në kulmin e garës në Letoni dhe ka një ritëm tjetër.

kostic

“Kemi zhvilluar një fazë mjaft të vlefshme në Slloveni. Përgatitjet na kanë shërbyer mjaftueshëm për të formatuar skuadrën që do të luajë në Ligën e Europës. Çdo ditë kemi punuar me nga dy seanca. Kjo i bëri më harmonikë lojtarët me njëri-tjetrin. Gjithashtu, ndeshjet miqësore na dhanë një dorë më shumë në njohjen e lojës së grupit. Meritë kanë të gjithë futbollistët, të cilët çdo detyrë të dhënë në stërvitje e interpretuan në lojë. Jam i kënaqur me atë që kemi bërë deri më tani”, deklaroi fillimisht Kostiç, për të folur më pas për kundërshtarin, teksa ndeshja e parë do të luhet në Letoni më 12 korrik.

Kostic

“Kemi marrë informacionet e duhura për kundërshtarin, madje e kam ndjekur nga afër në një ndeshje të kampionatit. Ekipi ynë nuk e ka marrë ende formën e duhur, por jam i bindur se do ta arrijmë në këto ditë të mbetura këtu në Gjirokastër. Pavarësisht të gjithave, nuk besoj se Ventspils do të na surprizojë. Besoj te shfrytëzimi maksimal i kohës së mbetur. Natyrisht, duke parë edhe cilësitë që kemi si ekip, jemi të bindur se do t’ia dalim ndaj Ventspilsit.

luftetarii

Nuk duhet të harrojmë se janë dy ndeshje për t’u luajtur, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, theksoi slloveni i pankinës gjirokastrite. Në fund, ai bëri një koment edhe për Botërorin, duke shprehur preferencën e tij. “Më pëlqen Kroacia, shpresoj të shkoj në finale, pasi ka një skuadër shumë të mirë”. Ndërkohë, dje skuadra bluzi iu kthye stërvitjes pas dy ditëve pushim. Nën urdhrat e Kostiç ishin 25 lojtarë, mes tyre edhe qendërsulmuesi Mario Gurma, që për herë të parë shkelte në stadiumin e Gjirokastrës.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"