Kostantinides: Vetëm basketboll që nuk luajtëm; Trajneri i Holandës: 5% besoja te ky rezultat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2017 | 17:09

Kostantinides: Vetëm basketboll që nuk luajtëm; Trajneri i Holandës: 5% besoja te ky rezultat

Trajneri Antonis Konstantinides, i zhgënjyer nga loja e të tijve, nuk ka vonuar shumë për të marrë edhe vendimin ekstrem: të japë dorëheqjen pas humbjes së turpshme e t’i thotë “mjaft!” aventurës me kombëtaren shqiptare. Vetëm një fitore për të nën drejtimin e Shqipërisë (pas asaj me Sllovakinë në eliminatoret e kampionatit europian).

konstadini-658x370

Ajo eufori e shfaqur pa filluar paraeliminatoret e kampionatit botëror ku u fol me bindje për fitore në Tiranë dhe kualifikim për në turin tjetër mbeti veçse një ëndërr. Ndërsa në fundin e ndeshjes u shfaq i dorëzuar pasi nuk kishte më çfarë t’i kërkonte kësaj skuadre duke qëndruar vetëm në këmbë, në konferencën për shtyp për TVSH-në, u shpreh se heq përfundimisht dorë nga drejtimi i skuadrës shqiptare.

Gjithashtu ai shprehu zhgënjimin edhe për mungesën e “fair play”-t nga lojtarët e tij karshi Austrisë. “Kjo ishte ndeshja ime e fundit. Nëse dikush mendon për të sjellë ndryshimin, atëherë të vijë. Unë po iki. Kjo e sotmja vetëm ndeshje nuk ka qenë.

U bë një ndeshje e neveritshme si teknikisht edhe taktikisht. Më duhet t’i kërkoj falje publikut si dhe Austrisë, për mungesën e “fair play”-t. Ndryshe nga çfarë bëmë ndaj Austrisë ku luajtëm fort, ndaj Holandës bëmë një paraqitje që vetëm basketboll nuk ishte”, ishte deklarata e fundit si trajneri i Shqipërisë i qipriotit Antonis Konstantinides.

TRAJNERI I HOLANDËS

Që Holanda nuk do të bënte surprizën në transfertën shqiptare ndaj kombëtares së basketbollit kjo dihej, por që do të ishte me këtë rezultat treshifror pakkush do ta kishte menduar. Jo vetëm tifozët “portokalli”, po as vetë trajneri Ton Van Helfteren.

ton van helfteren

Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes, kreu i pankinës tulipane pranoi se vetëm 5 apo 10 për qind e kishte parashikuar që do të fitonte kaq thellë me Shqipërinë duke patur parasysh edhe rezistencën që u bënë kuqezinjtë në shtëpinë e tyre.

“Ne ishim përgatitur për një ndeshje të fortë me Shqipërinë marrë shkas nga ajo ndeshje që bënë në Amsterdam pak ditë më parë. Por Shqipëria bëri tjetër paraqitje në Holandë, e krejt tjetër këtu. Pesë apo dhjetë për qind besoja për një rezultat të tillë. Gjithsesi ne ia dolëm për shkak edhe të synimit për të fituar me sa më tepër pikë”, deklaroi trajneri i Holandës, Ton Van Helfteren.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"