Kosovari i Teutës: I lumtur që jam në Durrës, ja ku ndryshon futbolli në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 17:29

Kosovari i Teutës: I lumtur që jam në Durrës, ja ku ndryshon futbolli në Shqipëri

Gjatë merkatos verore skuadra bregdetare e Teutës pësoi një reformim të thellë me afrime të lojtarëve me eksperiencë, por edhe lojtarëve të rinj, të talentuar dhe me perspektivë. Njëri prej tyre është dhe Roni Gashi, kosovari, i cili së bashku me Avdylin dhe vetë teknikun Shkëmbi erdhën nga Liria e Prizrenit.

teuta

Roni, si po shkon përshtatja juaj me skuadrën e Teutës?

Përshtatja dhe ambientimi ka shkuar shumë mirë këtu te Teuta. Ishte më e lehtë seç e prisja dhe për këtë dua të falënderoj të gjithë, pasi më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Si e vlerësoni ecurinë e skuadrës suaj?

Normalisht, ecuria është rezultat i punës tonë të palodhur dhe të vazhdueshme. Kemi punuar shumë, e kemi dëshiruar këtë pozicion dhe ecuri dhe tani ndihemi të lumtur, por e dimë që çdo gjë tani fillon dhe bëhet më e vështirë. Ne jemi gati për të ruajtur ecurinë pozitive dhe të ruajmë këtë vazhdueshmëri.

Jeni i lumtur që jeni këtu?

Çdo gjë po shkon shumë mirë këtu, kam minuta në këmbë dhe jam gjithmonë i gatshëm të jap maksimumin tim sa herë skuadra dhe trajneri të ketë nevojë. Jam natyrisht i lumtur që jam pjesë e një projekti dhe skuadre si Teuta.

Çfarë ka ndryshuar këtu nga futbolli në Kosovë?

Këtu në Shqipëri futbolli është më taktik sesa në Kosovë. Në të njëjtën kohë është një kampionat më i fortë dhe luhet një lojë më e shpejtë nga ritmi i saj. Këto mendoj se janë pak ndryshimet nga dy kampionatet apo nga mënyra e shprehurit në fushën e lojës. Në Kosovë futbolli është në rritje të vazhdueshme dhe po ashtu dhe skuadrat, pasi konkurrenca është rritur. Këtu skuadrat kanë arritur të prekin dhe kupat e Europës, fazën në grupe dhe normalisht kjo tregon që skuadrat këtu janë pak më lart. Sa u përket skuadrave të tjera mendoj që diferencat janë të vogla.

Në çfarë niveli është konkurrenca këtu në Durrës?

Konkurrenca në ekip është shumë e madhe këtu. Ka lojtarë shumë ekspert, që e njohin shumë mirë futbollin shqiptar dhe futbollistë të rinj dhe kjo bënë që konkurrenca të jetë e lartë dhe është diçka që ndikon për mirë te skuadra, pasi çdokush lufton për minutat e tij. Normalisht, për mua në aspektin personal më ndihmon shumë të rritem profesionalisht dhe të mësoj sa më shumë.

Cili është synimi juaj personal?

Synim personal është të rritem sa më shumë këtu, të mësoj akoma më shumë, pasi këtu të jepet mundësia të shfaqësh talentin. Dua të zhvilloj paraqitje sa më të mira.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"