Kosova tenton surprizën në lamtumirën e Bunjakit, trajneri i Islandës: Për ne është si finale!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2017 | 9:55

Kosova tenton surprizën në lamtumirën e Bunjakit, trajneri i Islandës: Për ne është si finale!

Kosova nuk e ka shijuar ende fitoren e parë në ndeshjet zyrtare. Me transfertën e Islandës, kosovarët mbyllën fazën eliminatore të Botërorit “Rusi 2018”. Në 9 ndeshje kanë marrë vetëm një pikë, pikërisht në start, ku barazuan 1-1 me Finlandën. Kombëtarja kosovare shkon në Islandë për të marrë fitoren e parë, e cila nëse arrihet do t’i dedikohet trajnerit Albert Bunjaki, i cili sot mbyll aventurën si trajner i Kosovës.

????????????????????????????????????

Në këtë takim prestigji, trajneri Bunjaki do të përzgjedhë formacionin e fundit, si i pari i pankinës dhe me shumë gjasa pritet që të ketë risi në përbërje, duke u nisur nga ndeshja e fundit me Ukrainën. Pas humbjes 2-0 në Shkodër ndaj Ukrainës, Federata e Futbollit të Kosovës shtroi një darkë solemne për nder të trajnerit Albert Bunjaki, i cili sot ka ndeshjen e fundit me kombëtaren kosovare.

Gjatë kësaj darke, presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, dhe kapiteni Samir Ujkani ia dhuruan trajnerit Bunjaki një fanellë të përfaqësueses me nënshkrimet e të gjithë futbollistëve dhe stafit. Ata i kanë shprehur falënderime Bunjakit për punën e bërë në krijimin e këtij grupi të futbollistëve, pasi ai ka hyrë në histori si trajneri i parë i Kombëtares së Kosovës. Albert Bunjaki, në tetë vite punë si trajner i Kosovës, ka provuar më shumë se 200 futbollistë.

Trajneri i Islandës: Ndaj Kosovës është si finale për ne

Trajneri i Islandës, Heimir Halgrimson, një ditë para ndeshjes ka shprehur respektin maksimal për Kosovën dhe kërkon kujdes nga ekipi i tij.

“Kjo ndeshje është si një finale për ne. Është takimi i fundit që e përcakton se cila skuadër do të shkojë në ‘Rusi 2018’. Duhet të jemi të kujdesshëm me Kosovën, sepse e dimë se është një përballje, si të jetë finale. Kosova ka ndryshuar shumë dhe trajneri i tyre ka marrë lojtarë të rinj dhe po aplikojnë një stil të ri loje.

Ata janë të vendosur ta bëjnë historinë. Në tri ndeshjet e fundit kanë demonstruar se nuk janë larg dhe kanë një skuadër fantastike. Në të gjitha ndeshjet e kanë pasur mundësinë dhe kanë qenë në lojë. Është një skuadër të cilën askush nga ne nuk e nënvlerëson”, tha Halgrimson.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"