“Kosova sulmon më mirë se ne, De Biazi i beson Lilës dhe jo Latifit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2017 | 21:45

“Kosova sulmon më mirë se ne, De Biazi i beson Lilës dhe jo Latifit”

Nga SULEJMAN STAROVA

Ndeshja pati dy tablo. Në pjesën e parë, objektivi i skuadrës ishte të mbrohej me të gjitha forcat dhe të kundërsulmonte atëherë kur të thyente aksionet e kundërshtarit. E nisëm mirë lojën dhe e gjetëm Italinë të pavëmendshme duke krijuar një rast me Cikalleshin. Këtë gjë e bëmë edhe në minutën e fundit të pjesës së parë.

Starova

Sigurisht që Italia kishte katër raste për gol, ndërsa ne vetëm dy. Megjithatë, e vumë Italinë në vështirësi me këtë mënyrë loje. Vlen për t’u përmendur se lojtarët më të mirë në pjesën e parë ishin Cikalleshi dhe Roshi, por të mbështetur edhe nga Hysaj e Agolli. Me punën e mirë të gjithë skuadrës, nuk ra në sy as loja e katër mbrojtësve.

Ekipi ishte i vendosur mirë në aspektin mbrojtës dhe arrinte të dilte rrezikshëm në kundërsulm. Sipas mendimit tim, ajo që stonoi në pjesën e parë ishte taktika që përdor vazhdimisht De Biazi, i cili nuk beson te një sulmues si puna e Roshit që të jetë i aftë në kundërsulm, por të bëjë edhe aspektin mbrojtës, në një kohë që e ka zgjidhur me Lilën që merr pjesë në aspektin mbrojtës, por është inekzistent në sulm, pasi nuk është roli i tij. Cikalleshi dhe Roshi harxhuan shumë energji në pjesën e parë.

PJESA E DYTË

Asnjë ndryshim taktik nga ana jonë. Taktika vazhdonte që të mbroheshim mirë dhe të kundërsulmonim. Por, skuadra nuk reagoi dhe për rrjedhojë luajti shumë dobët dhe u shpërfytyrua. Nuk arritëm asnjëherë të shkonim në portën e Italisë. De Biazi u kujtua se duhet të zëvendësonte Lilën. Ndërsa edhe Sadiku, Grezda apo Latifi që luajti vetëm tri minuta, që janë të papërfillshme, nuk krijuan asgjë. Si përfundim, ne me këtë lloj kujdesi nuk arritëm që të guxojmë.

Hysaj - Basha - Imobile

Nëse do të luash me një formacion që vetëm mbrohet dhe tenton me kundërsulm, kur kapesh pastaj me një rezultat 2-0 për kundërshtarin e ke të pamundur të reagosh, pasi skuadra është e përgatitur vetëm për një mënyrë loje. Në kushtet kur kundërshtari kalon në avantazh dhe bëhet zotërues i topit, do të ndodhë si me Shqipërinë që në pjesën e dytë ishte pa ngjyrë.

Nuk arritëm që të merrnim një rezultat pozitiv, edhe me mungesat që kemi në skuadër. Megjithatë, mendoj se nuk kishim shumë mungesa në repartin e sulmit. Aty ku kishim merak te Mavraj apo te lojtarë të tjerë që mungonin në mesfushë nuk e vuajtëm këtë gjë. Ne vuajtëm në sulm.

PROBLEMET

Kjo skuadër ka probleme të mëdha. Nëse duhet të vazhdojmë me objektivat e kualifikimit, duhet të ndryshojmë. Edhe Kosova bën më shumë se ne për sulmin. T’i japësh vetëm tri minuta Latifit, apo disa më shumë Sadikut, në një kohë që beson shumë te Lila, janë probleme që sjellin këtë pjesë të dytë për t’u harruar. Nuk ka ngelur Shqipëria të luajë me dy mbrojtës të djathtë. Është një gjë e përsëritur nga De Biazi, por kjo është punë e tij.

PENALLTIA

Penalltia është një gabim i Migjen Bashës, i cili nuk mund të vazhdojë ta prekë kundërshtarin ashtu. Ishte një penallti klasike, edhe pse nuk ishte rast goli. Basha e ekzagjeroi me mbajtjen e dorës. Ajo mbajtje duhet vetëm pak sekonda, por nuk mund të vazhdohet gjatë. Një gjë e tillë ndodhi edhe në ndeshjen e sotme (dje) të Serbisë. Ishte penallti dhe nuk u bë asnjë padrejtësi.

SJELLJA E TIFOZËVE

Sjellja e tifozërisë shqiptare është reciproke. Faj ka edhe pala italiane që ishte organizatore dhe nuk duhej të lejonte tifozët të hynin në stadium me tymuese apo fishekzjarrë. Nuk ishte mirë që të ndalej loja 5 minuta, por janë gjëra që ndodhin dhe nuk ka asgjë për ta dramatizuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"