Korrea tregon arsyet pse zgjodhi Interin: E di si fitohet në “Olimpiko”, meritojmë të jemi në krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2021 | 13:07

Korrea tregon arsyet pse zgjodhi Interin: E di si fitohet në “Olimpiko”, meritojmë të jemi në krye

Simone Inzagi ka këmbëngulur shumë për ta marrë me vete në aventurën e tij zikaltër dhe ai ia shpërbleu me dy dopieta dhe 6 pikë të dhuruara. Bëhet fjalë për Hoakin Korrean, që ka bërë hapin më cilësor në karrierën e tij duke u transferuar këtë verë te kampionët e Italisë. Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, argjentinasi kërcënon Romën dhe premton se ky është vetëm fillimi.

korrea 1

Çfarë bilanci bëni për tre muajt tuaj të parë tek Interi?

Bilanci është patjetër pozitiv. Kam pasur ndalesë për shkak të problemeve muskulore, por gjithë ambienti më ka pritur shumë mirë. Dua të kënaqem dhe të dhuroj kënaqësi edhe në fushë për të tjerët.

Në fushë dukeni sikur keni një jetë tek Interi. Cili është sekreti?

Është meritë e grupit. Kur po flitej për ardhjen time, më kanë shkruar shumë nga skuadra për të më bindur dhe ka qenë një shtysë me shumë në vendimin tim. Lautaro, kur ishim në Kupën e Amerikës, më përsëriste që duhet t’u bashkohesha. Pastaj filluan Çalha e Vidal me telefonata.

Besojmë se një peshë në vendim e ka pasur edhe Inzagi…

Trajneri ka qenë një arsye shumë e rëndësishme. Kisha edhe mundësi të tjera, por doja shumë të punoja me të përsëri. Është një trajner i madh që të ndihmon të japësh më të mirën. Me Lacion arriti rezultate të shkëlqyera dhe ndërtoi një grup shumë të bashkuar, ku secili e dinte vendin dhe aftësitë e tij. Është shumë ambicioz, perfekt për Interin.

Si e prisni Romën?

Vjen nga një moment i vështirë. Presim një skuadër të fortë sepse lojtarët e Romës janë të tillë. Nuk do të jetë e lehtë, por unë edhe Inzagi e dimë si mundet. Jam i bindur se me armët tona mund t’i vendosim në vështirësi. Duhet të jemi të përqendruar dhe të bëjmë ndeshje prej Interi.

Pasi thyet mallkimin e ndeshjeve të mëdha me Napolin, jeni gati për fitoren e dytë radhazi ndaj një kundërshtari direkt?

Ndaj Atalantës, Juventusit e Milanit kemi barazuar, por të gjithë e dinim se meritonim më shumë. Me Napolin vendosëm drejtësi dhe tani duhet vetëm ta përsërisim.

korrea 1

Pse e latë Lacion?

Kam qëndruar tri sezone dhe kam ngritur dy trofe. Arritëm në fazën e 1/8-ave pas 20 vitesh dhe fituam 12 ndeshje radhazi në shtëpi duke vendosur një rekord për klubin. Ishte një eksperiencë që e kujtoj me shumë dashuri, por kishte ardhur momenti për t’u larguar. Ishte vendimi më i drejtë.

Çfarë i kërkon 2022-shit?

T’i dhurojë shumë suksese një skuadre kaq të fortë sa Interi. Meritojmë të jemi në krye dhe mund ta arrijmë sepse po rritemi.

Është objektivi të fitoni titullin që do t’ju dhurojë yllin e dytë në fanellë?

Sigurisht që po. Duam ta përsërisim.

Pas shpinës suaj është imazhi i Champions-it të fituar në Madrid. Çfarë ndjesie ju jep?

Dua shumë ta ngre këtë trofe. Bashkë me Kupën e Botës, janë ëndrra ime më e madhe.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"