Koronavirusi “troket” te Reali, izolohet menjëherë sulmuesi. Alarm edhe per Hazardin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2020 | 9:30

Koronavirusi “troket” te Reali, izolohet menjëherë sulmuesi. Alarm edhe per Hazardin

Koronavirusi sjell sërish telashe për futbollin. Troket sërish në shtëpinë e Realit të Madridit dhe ekzaktësisht te sulmuesi serb Luka Joviç. Lojtari madrilen është izoluar në banesën e tij, për shkak se një nga shokët me të cilin ishte shoqëruar gjatë këtyre ditëve ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Serbi ka dy ditë që nuk stërvitet me skuadrën dhe rezultati i parë i testit ka qenë negativ, por mjekët kanë vendosur se ai duhet të izolohet dhe të ndjekin protokollin e përcaktuar përpara fillimit të kampionatit.jovic.real.madrid.2019.201.750x450

Sipas gazetës “MARCA”, shoku i Joviçit zbarkoi në Madrid nga Beogradi ditën e hënë në mesditë. Në rrjetet sociale është zbuluar një foto ku sulmuesi madrilen bashkë me shokun serb të prekur me virus, por edhe me disa miq të tjerë, ishin duke bërë not në pishinë pa respektuar distancën. Reali është shumë i kujdesshëm, duke monitoruar edhe njerëzit që takojnë futbollistët, dhe nga testi rezultoi që miku i lojtarit ishte pozitiv. Pavarësisht se ditën e hënë Reali i Madridit nuk kishte stërvitje, mjekët shkuan për t’i bërë një test dhe përgjigjja e tij ishte negative.

Protokolli i klubit e detyron lojtarin që, pavarësisht testit të parë, të qëndrojë në izolim për disa ditë. Luka Joviç nuk do të rikthehet afër skuadrës deri sa të kalojë të gjitha testet e tjera sipas protokollit mjekësor të Realit, në mënyrë që të garantohen se nuk është i prekur. Joviç do t’u nënshtrohet testeve të tjera deri sa të marrë lejen për rikthimin me grupin.

karim-and-hazard

HAZARD ME DHIMBJE– Por Luka Joviç nuk është telashi i vetëm për Realin e Madridit, pasi edhe Eden Hazard ka bërë me dhimbje koke trajnerin Zidan. U duk sikur do të rikthehej vendimtar dhe i rëndësishëm në këtë fundsezon, por dëmtimi nuk po e lë të qetë.

Ai ka humbur ndeshjet e fundit dhe shpresonte që të rikthehej nën urdhrat e trajnerit Zidan për duelin e nesërm me Alaveshin, por në stërvitje nuk ka dhënë aspak sinjale pozitive. Sulmuesi belg nisi që të punonte me skuadrën dhe të merrte ngarkesë të plotë, por ndjeu sërish dhimbje në gjurin që ka operuar dhe në kampin madrilen ranë kambanat e alarmit. Nuk dihet ende nëse do të jetë i gatshëm për duelin e radhës, por me shumë mundësi trajneri Zidan nuk do ta rrezikojë dhe do të preferojë rikuperimin e tij me lehtësi.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"