Koronavirusi bllokon fluturimet, Dinamo kërkon zgjidhje nga ambasada

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2020 | 12:50

Koronavirusi bllokon fluturimet, Dinamo kërkon zgjidhje nga ambasada

Për dy muajt e ndërprerjes së kampionatit ishte e vështirë që në vendin tonë të qëndronin të gjithë lojtarët e huaj, aq më tepër kur bëhet fjalë për ata që janë nga vende afër nesh, si Italia e Greqia. Disa preferuan të qëndronin në Shqipëri, disa të tjerë u larguan dhe tani është një problem më vete rikthimi i tyre. Në Kategorinë e Parë, Dinamoja është skuadra që preket më shumë nga kjo çështje, pasi ka 9 të huaj, duke përfshirë edhe pjesëtarët e stafit teknik.
dinamoo-770x355
ITALIANËT – Drejtuesit e skuadrës blu janë vënë në lëvizje për rikthimin në Shqipëri të italianëve, konkretisht të tre pjesëtarëve të stafit teknik, Fabricio Kamarata dhe Roberto e Enco Pasareli, si dhe të lojtarëve Pontreli dhe Dovidio. Gazeta mëson se për këtë çështje duhet bashkëpunimi me Ambasadën Shqiptare në Romë dhe drejtuesit e klubit po merren me këtë punë, sepse stafi teknik duhet të jetë sa më shpejt në kryeqytet, nëse merret vendimi zyrtar për rifillimin e kampionatit. Dy italianët e tjerë të bluve, Paterni dhe Ortolani, qëndruan në Tiranë, bashkë me ekuadorianin Salazar. Pjesëtarët e stafit, por edhe Pontreli dhe Dovidio jetojnë në Romë, një zonë e parrezikshme në Itali, ndaj dhe shkuan pranë familjeve të tyre. Po ashtu, jashtë vendit është edhe sulmuesi Renato Spahiu, i cili ndodhet në Greqi dhe duhet të kthehet, por për të mendohet se do të jetë më e lehtë.
DINAMO
PROBLEMI – Problemi i të huajve në futbollin shqiptar nuk është se prek vetëm Dinamon, por edhe shumë klube të tjera, pavarësisht se në numër më të paktë. Ajo që mbetet ende e paqartë ka të bëjë me faktin nëse lojtarët që kthehen në vendin tonë, duhet të qëndrojnë apo jo dy javë në karantinë. Nëse duhet t’i nënshtrohen këtij rregulli, problemi bëhet edhe më shqetësues, sepse dy javë janë vërtet shumë, sidomos për blutë e kryeqytetit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"