Koronavirusi bëhet pengesë/ Asani drej rikthimit te Partizani, por nuk luan dot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2020 | 9:34

Koronavirusi bëhet pengesë/ Asani drej rikthimit te Partizani, por nuk luan dot

Pandemia “COVID19” mund t’i kush tojë shumë Partizanit dhe ish-lojtarit të tij, Jasir Asani. Në merkaton e janarit të kuqtë e privuan veten nga shërbimet e 24-vjeçarit për pjesën e mbetur të sezonit duke e huazuar në Suedi, me shpresën që në qershor ta shisnin sulmuesin tek AIK Stokholm.

Jasir Asani

Pezullimi i aktiviteteve sportive në këtë periudhë nuk ka rezultuar me fat për sulmuesin nga Shkupi, i cili rrezikon të kthehet te Partizani pa luajtur me skuadrën suedeze në kampionat, ku sezoni i ri ishte planifikuar të niste më 4 prill. Asani u afrua nga AIK për të mbushur boshllëkun e lënë nga dëmtimi i mesfushorit Nabil Bahoui, i cili parashikohej të mos ishte gati deri në qershor.

Kontrata e huazimit nga Partizani tek AIK Stokholm mbaron në qershor dhe më tej hyn në fuqi klauzola e blerjes së kartonit të 24-vjeçarit nga suedezët. Nga ky transferim Partizani priste të përfitonte rreth 400 mijë euro. Situata e krijuar nga Koronavirusi, ku akoma nuk dihet se kur do të nisë kampionati në Suedi, ndonëse ekipet stërviten rregullisht, mund të bëjë që AIK të mos e ushtrojë të drejtën e blerjes së futbollistit të Partizanit edhe për faktin se Nabil Bahoui është drejt rikuperimit të plotë.

jasir asani 1

Prej kohësh ka patur një përplasje mediatike në Suedi rreth të ardhmes së Asanit te skuadra e kryeqytetit suedez. Në lidhje me këtë çështje, së fundmi për “FotbollDirekt” ka folur drejtori i përgjithshëm i AIK Stokholm, Bjorn Uestrom. Media suedeze raporton se ndërprerja e aktiviteteve sportive nga shpërthimi i pandemisë “COVID-19” mund të bëjë që Jasir Asani të mos luajë asnjë ndeshje në kampionatin suedez me AIK-un. I pyetur se si do të veprohet me të ardhmen e ish-sulmuesit të Partizanit, zyrtari i lartë i klubit suedez, Bjorn Uestrom, u shpreh:

“Vendimi për të ardhmen e Asanit do të merret përpara fundit të muajt maj”. Asani duket në formë dhe është përgatitur rregullisht me AIK-un në këtë periudhë, madje ka luajtur edhe tri ndeshje zyrtare të plota në Kupën e Suedisë, ku ka shënuar edhe një gol. E ardhmja mund të varet edhe nga kushtet e reja që AIK mund t’i kërkojë Partizanit, për të ulur çmimin.

ILIR CARA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"