Korça në ankth, ja si u përjetua lajmi i UEFA-s…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2018 | 9:11

Korça në ankth, ja si u përjetua lajmi i UEFA-s…

Korça e fjetur dhe e traditës është zgjuar zhurmshëm mëngjesin e djeshëm. Dukej ndoshta sikur nuk kishte fjetur fare gjithë natën, duke menduar pasojat dhe dëmin që do të shkaktonte kjo zhurmë për qytetin. Nuk është vetëm Skënderbeu, klubi, lojtarët apo deri te punonjësit e thjeshtë të tij.

skenderbeu tifozet

As tifozët më të zjarrtë dhe ata më të thjeshtë. Është një histori e tërë e këtij qyteti kulture dhe tradite që preket pas kërcënimit me 10 vite pezullim nga UEFA për manipulime ndeshjesh. Dhe Korça, ashtu e strukur, dje është ngritur zhurmshëm!

Gjithçka flitej për këtë lajm, për dënimin e mundshëm të Skënderbeut. Që pa hapur mirë sytë në qytet sikur oshtinte. Të gjithë flisnin për historinë e dënimit të klubit bardhekuq. Në çdo rrugicë, lokal, tavernë, por edhe shtëpi, vështirë të shmangej kjo temë diskutimi.

Në rrugë askush nuk qëndronte i heshtur, edhe pse të tronditur të gjithë pyesnin dhe bisedonin rreth mundësisë së pafajësisë. Ajo ishte dëshira më e madhe e të gjithëve. Shpresa që Skënderbeu të provojë pafajësinë. Informacioni kërkohej kudo, në internet, në gazeta, në buletini i lajmeve, madje edhe përmes mesazheve dhe thirrjeve telefonike.

Skenderbeu - Partizani Beogradit

Korrespondentin në Korçë vështirë ta kapje në telefon, pasi numri i tij gjatë pjesës më të madhe të ditës ishte i zënë. Sigurisht nga mesazhet dhe thirrjet e shumta që merrte nga tifozë dhe figura të mëdha të klubit bardhekuq e deri tek intelektualët e qytetit. Korça nuk ka gjumë, ka vetëm një shpresë!

Skënderbeu të provojë pafajësinë, duhet ta provojë edhe për të mbajtur lart flamurin bardhekuq e jo vetëm. Flamurin shqiptar, pasi e gjithë Shqipëria duhet të ishte me të, përkrah Skënderbeut në këtë moment delikat.

Skenderbeu tifozet

Po, po, përkrah Skënderbeut, ashtu siç ishte në “Elbasan Arena” në atë fitore drithëruese me Mlada Boleslav dhe jo vetëm, por edhe në ate kualifikim magjik në grupe pas ndeshjes me Dinamon e Zagrebit. Korça nuk e meriton këtë humbje të madhe! Të paktën i gjithë qyteti mendon kështu.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"