Korabi përgatitet për kampionatin, Dalipi: Kemi mbështetjen e plotë të kryebashkiakut, projekti jonë është afatgjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2020 | 22:17

Korabi përgatitet për kampionatin, Dalipi: Kemi mbështetjen e plotë të kryebashkiakut, projekti jonë është afatgjatë

Korabi ka disa ditë që nën drejtimin e trajnerit Klevis Dalipi dhe ndihmësve të tij Mziu dhe Beqiri ka rifilluar stërvitjen për pjesën e mbetur të kampionatit.
dALIPI

Në një prononcim për “Panorama Sport”, tekniku i dibranëve shprehet: “Pas pandemisë që përfshiu gjithë botën, u bë i mundur rifillimi i punës për pjesën e mbetur të kampionatit dhe që ditën e parë u njohëm me gjendjen shëndetësore të lojtarëve. Gjendja nuk ishte aq e mirë për shkaqet që dihen, por tani stërvitja po shkon mirë. Jemi të kujdesshëm për sa i përket ngarkesës. Ndërprerja e kampionatit nuk na ndihmoi, pasi Korabi po kalonte një moment të mirë. U shkëputëm dy muaj, por jeta është më e rëndësishme se futbolli. Lojtarët janë stërvitur në kushtet shtëpiake dhe me programet që na ofronte teknologjia ‘Zoom’. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi temperaturat e larta nuk të japin shumë avantazhe për ngarkesa dhe rikuperime në një kohë kaq të shkurtër. Do të bëjmë gjithçka që të jemi gati ditën e rifillimit të kampionatit. Nuk jemi shumë larg para fillimit të sezonit të ri, ku mendojmë të bëjmë një ekip dinjitoz për ta ngjitur Korabin në Superiore. Kemi mbështetjen e kryebashkiakut Dionis Imeraj për këtë gjë. I qëndroj deklaratës që dhashë kur mora drejtimin e Korabit, kur thashë se kemi një projekt afatgjatë dhe serioz për ngjitjen në Superiore. Me mbështetjen edhe të tifozëve dibranë, shpresoj që ëndrra të bëhet realitet për këtë komunitet futbolldashës”.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"