Korabi me trajner të ri, flet Agim Canaj: Erdha për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2021 | 15:23

Korabi me trajner të ri, flet Agim Canaj: Erdha për elitën

Agim Canaj është trajneri i ri i Korabit. Tri ditë pas largimit të beftë të Klevis Dalipit, klubi ka gjetur pasardhësin e tij. Është pikërisht vlonjati, “timonieri” i dibranëve. Pas një takimi të zhvilluar me kryebashkiakun Dionis Ymeraj, 58- vjeçari është bindur që të marrë këtë post. Me të hedhur firmën mbi kontratë, është bërë edhe prezantimi para ekipit.

CANAJ

Ai nuk ka humbur kohë dhe ka nisur menjëherë nga puna, pasi vetëm fundjavën e ardhshme do t’i duhet që të debutojë. Canaj është një emër i madh dhe me eksperiencë në vendin tonë, teksa në të kaluarën ka drejtuar klube si Dinamo, Lushnja, Vllaznia, Kukësi, Bylisi, Shkumbini apo Gramozi. Kjo është hera e parë që do të drejtojë skuadrën nga Peshkopia, teksa do të kërkojë ta rikthejë në elitë. Gazeta kontaktoi me teknikun, i cili për “Panorama Sport” konfirmoi arsyet që e çuan drejt firmës.

“E pranova me kënaqësi ofertën që më bënë drejtuesit dibranë dhe mora stolin e Korabit. Është një skuadër e mirë dhe mbi të gjethja lufton për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Do mundohem të jap më të mirën, për të arritur objektivin final. Dua të falënderoj kryebashkiakun Dionis Imeraj dhe drejtorin Fehmi Mëziu për besimin”, u shpreh numri një i pankinës së Korabit.

Me emërimin e tij, tashmë klubi do të nxitojë edhe për merkaton. Situata nuk është ndër më të mirat, pasi zyrtarisht u kanë ikur pesë futbollistë dhe kanë vetëm një afrim. Ka domosdoshmëri për përforcime, por kohën e kanë më shumë se të limituar. Vetëm 3 ditë kanë në dispozicion për të gjetur të duhurit dhe duhet thënë që të lehtë nuk do ta kenë, kur dihet se janari nuk ofron shumë mundësi.

FATMIR ZHUZHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"