“Korabi i fortë, me tifozët mundim çdo ekip”, Krasniqi: Egnatia mbetet në elitë, kalojmë “provimin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2022 | 11:34

“Korabi i fortë, me tifozët mundim çdo ekip”, Krasniqi: Egnatia mbetet në elitë, kalojmë “provimin”

Nëse shumica e tit ullarëve pushuan me Dinamon, Gëzim Krasniqi zgjodhi të luante. Kapiteni e ka kërkuar vetë që të jetë pjesë e formacionit dhe jo pa shkak. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai shpjegon se dëshironte të ruante formën për finalen me Korabin.

GEZIM KRASNIQI

“Trajneri vendosi të linte pushim thuajse gjithë formacionin, por unë doja dhe luajta me Dinamon. Këtë e bëra vetëm në shërbim të gjendjes sime.

Siç e patë, ekipi pavarësisht përbërjes tregoi dëshirë, luftoi, dhe vetëm ai gol individual i Ibrahimit mbylli takimin në barazim.

Por unë e shoh në shërbim të sfidës me Korabin dhe ndihem i kënaqur nga forma që dëshmuan shokët që luajtën, disa edhe për herë të parë në 11-she”, u shpreh fillimisht kavajasi.

FINALJA – Nëse Dinamon e kaluan me sukses, “provimi” i vërtetë është ai i 31 majit. Në stadiumin “Egnatia Arena” do të vijë Korabi dhe kjo finale vendos kush do të luajë në elitë. 32-vjeçari mendon se nuk duhet t’ia kishin lejuar vetes “play out”-in:

“Pavarësisht se tashmë kampionati u mbyll, ruaj po të njëjtin mendim e bindje se Egnatia nuk duhet të kishte shkuar në ndeshje shtesë.

Kemi grup shumë më të mirë se disa ekipe që i shpëtuan ‘play out’-it, por kemi gabuar shumë herë në shtëpi. Gjykoj se kjo ka ndodhur sa për lojën e ndershme që kemi bërë, por edhe jo pak herë kanë ndikuar emocionet para publikut tonë. Shihni rezultatet e do të mësoni se Egnatia ka luajtur më mirë jashtë Rrogozhinës se brenda”.

BINDJA – Me gjithë vlerësimin për dibranët, Krasniqi është i bindur se Egnatia do të jetë fituese.

“Jo për diplomaci, por vërtet mendoj se Korabi ka një grup të fortë. E dëshmoi edhe ndaj Apolonisë. Nuk janë të rinj, por grup me lojtarë me shumë përvojë në Kategorinë e Parë.

Kështu i kemi vlerësuar që nga trajneri, unë, ekipi, deri te lojtarët e stolit. Do të kemi përballë një Korab që ka të drejtë të ëndërrojë, por ata do i presë një ekip që ka një grup sigurisht më të mirë.

Ajo çfarë duhet të bëjmë ne, është përqendrimi maksimal në çdo moment të lojës dhe dhënia e maksimumit nga secili. Mirë do ishte të shënonim sa më shpejt, por që do fitojmë këtë nuk dua ta vë në diskutim.

I kemi të gjitha kualitetet, grupin, vlerat, tashmë dhe përvojën për ta administruar në favorin tonë një ndeshje të vetme. Me këtë rast i kam pikë të dobët tifozët tanë të jashtëzakonshëm, që besuan, na mbështetën, na brohoritën edhe në shumë sfida që i humbëm para syve të tyre në Rrogozhinë.

Ndaj e them publikisht se u kemi shumë borxhe dhe i ftoj që të martën të tejmbushin stadiumin, pasi në fund të ndeshjes do festojmë së bashku. E quaj detyrim moral dhe profesional që të kalojmë Korabin dhe mbetemi në Superiore. E meritojmë”, përfundoi mbrojtësi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"