Korabi-Besëlidhja/ Bardhi: Nuk duam gjyqtarë si Cjapi. Dalipi: Me lezhjanët e kemi “malore”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2020 | 11:30

Korabi-Besëlidhja/ Bardhi: Nuk duam gjyqtarë si Cjapi. Dalipi: Me lezhjanët e kemi “malore”

Besëlidhja ka “zbarkuar” që të premten në Peshkopi, atje ku sot në orën 13:30 do të luajnë një tjetër “finale”. Lezhjanët do të matin forcat me vendësit e Korabit, pas asaj që zhvilluan një javë më parë me Burrelin. Përballja e fundit duket se i ka lënë me pasoja, aq sa vetë Sinan Bardhi i bën kërkesë FSHF-së për gjykimin. Nuk i intereson stema që do të mbajnë, por vetëm pret ndershmëri. Gjatë një prononcimi të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri i drejtohet direkt Sokol Jarecit (dizenjatorit të arbitrave) në prag të këtij 90-minutëshi. “Ne e vlerësojmë maksimalisht Korabin, ekip që është në vend të parë në klasifikim. Do të shkojmë në Peshkopi për një rezultat pozitiv. Si gjithnjë, do të zhvillojmë një ndeshje ‘Fair Play’, sikurse e ka traditë Besëlidhja.
Sinan Bardhi
Fituesin le ta përcaktojë fusha. Por, i kërkoj Sokol Jarecit që të na dërgojnë gjyqtarë që të gjykojnë ndeshjen, e jo ta komandojnë. Ne duam një gjyqtar të ndershëm, pavarësisht se çfarë steme mban. Nuk duam më gjyqtarë si Cjapi. Besëlidhja ka nxjerrë mësime nga gabimet e së shkuarës, ndaj kam shumë shpresë se tashmë i kemi hedhur pas krahëve. Edhe pse kemi ndonjë mungesë për shkak dëmtimi, kjo nuk paraqet problem. Kemi një stol mjaft cilësor që na plotëson më së miri, ndaj s’ka vend për panik. Skuadra është në lartësinë e duhur nga të gjitha pikëpamjet, ndaj na duhet vetëm vlerësim, përqendrim maksimal dhe grintë për të dalë me kokën lart nga kjo transfertë. Besëlidhja është një skuadër me emër të madh, pavarësisht se militon në Kategorinë e Parë prej shumë kohësh. Shpresoj se ky sezon të jetë i fundit në këtë nivel”, përfundoi Bardhi.

dALIPI
KORABI – Dribranët u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve, me një seancë dje paradite në kompleksin “Internacional” në kryeqytet. Pasi kanë fiksuar formacionin dhe janë dhënë porositë e fundit, skuadra është nisur direkt drejt Peshkopisë. Dibranët do të presin sot Besëlidhjen, për llogari të javës së 5-të të Kategorisë së Parë. Pas barazimit me Partizanin B, e kanë të ndaluar që të gabojnë përballë lezhjanëve. Me një rival direkt edhe “X”-i do të shihej si humbje. Klevis Dalipi është besimplotë para kësaj sfide, gjë që e pohon edhe për “Panorama Sport”. Trajneri vlerëson kundërshtarin si të fortë, ndaj u kërkon të tijve që të shmangin euforinë.

“Pas barazimit ndaj Partizanit B, me të gjitha forcat jemi përqendruar te java e 5-të. Luajmë në shtëpi përballë Besëlidhjes, ndaj një kundërshtari që të imponon respekt, derisa është një nga pretendentët në garën për ngjitje. Kemi shumë punë përpara, por jemi stërvitur me intensitet të lartë këtë javë. Sfida parashikohet e vështirë. U kam kërkuar lojtarëve që të jenë të përqendruar deri në sekondën e fundit në fushë. Të shmanget euforia, pasi kjo mund të na dëmtonte. Nesër (sot) do të futemi në fushë për një rezultat pozitiv. Grupin do ta kem të plotë, kështu që në fushë do të hedh në fushë më të mirët”, përfundoi elbasanasi i stolit të Korabit.

korabi beselidhja

PRENG GJIKOLA

FATMIR ZHUZHI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"