Kontroll në FSHF, administratori i godinës flet për inspektimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 18:40


Kontroll në FSHF, administratori i godinës flet për inspektimin

Inspektorati Ndërtimor dhe efektivët e Policisë Bashkiake kanë zbarkuar ditën e djeshme në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Inspektimet-ne-terren-fshf

Mësohet se Policia Bashkiake ushtroi kontrolle në ambientet e FSHF-së. Kujtojmë se kjo situatë vjen pasi Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal ndaj presidentit të Federatës së Futbollit, Armand Duka, lidhur me administrimin e një fondi prej 1.3 milionë eurosh që UEFA ia ka kaluar asaj për llogari të klubit të futbollit të Tiranës.

Prokuroria ka ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës ndaj Dukës. Pak ditë më parë kontrolle të inspektorëve të Tatimeve ka pasur edhe në bizneset e familjes Duka në Durrës. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, sqaroi se këto kontrolle kanë qenë rastësi me situatën e krijuar në FSHF, por theksoi se për bizneset e familjes Duka ka pasur denoncime.

ADMINISTRATORI I GODINËS – Ndërkohë, në lidhje me këtë kontroll nga ana e Inspektoratit Ndërtimor është prononcuar për mediat edhe administratori i godinës së federatës, Hasan Gurabardhi, i cili tregoi se ishin dy inspektorë që kontrolluan lejet e ndërtimit të godinës. Ai theksoi se ky kontroll nuk është një rastësi dhe ata kanë ardhur pa lajmëruar, pasi leja e ndërtimit është dhënë që në vitin 2017, dhe sipas tij, kjo është një situatë e çuditshme.

“Ishin dy inspektorë për të kontrolluar lejet e ndërtimit të shtëpisë së futbollit. Pasi i kërkuan, ua vura në dispozicion. Është e çuditshme pse erdhën në këtë moment, sepse leja e ndërtimit është dhënë që në 2017-ën. Në fakt, për këtë kontroll nuk kanë ardhur deri tani, por ne ua vendosëm në dispozicion dokumentet. Gjithashtu, erdhi edhe inxhinieri dhe diskutuam, një dokument që kërkuan, do t’ua sjellë inxhinieri të hënën.

Ne kemi një tabelë të madhe jashtë, ku duket leja. Nuk e kuptoj përse vijnë në këtë moment. Nuk e di, në formë presioni, sepse ato ishin korrekte. Edhe Bashkia e Tiranës i ka dokumentet. Erdhi kompania ndërtimore dhe ditën e hënë do të jenë këtu sërish. Nuk ishim lajmëruar më herët, unë jam administrator këtu, ishte një kontroll i befasishëm”, përfundon Gurabardhi.

PANORAMASPORT.AL