Kontratë 4-vjeçare dhe numri 22 në fanellë, prezantohet Rydiger: Barcelona? Doja vetëm Realin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2022 | 11:08


Kontratë 4-vjeçare dhe numri 22 në fanellë, prezantohet Rydiger: Barcelona? Doja vetëm Realin!

Antonio Rydiger ka bërë prezantimin e tij te Reali i Madridit.

RUDIGER 1

Mbrojtësi i kombëtares gjermane ka lënë në mes pushimet dhe ka marrë avionin e parë për në Madrid të hënën pasdite ku edhe ka kaluar vizitat mjekësore e më pas ka firmosur me “Los Blancos”.

Që nga dje ai është zyrtarisht një lojtar i Realit të Madridit, me të cilin ka firmosur një kontratë 4-vjeçare.

Ai erdhi nga Çelsi me parametra zero dhe javën e dytë të korrikut do të vihet nën urdhrat e trajnerit Karlo Ançeloti. Rydiger është shoqëruar nga presidenti Florentino Perez në momentin e prezantimit, ku ky i fundit i ka dorëzuar fanellën e Realit.

Mbrojtësi 29-vjeçar do të mbajë veshur fanellën me numrin 22 që deri dje mbahej nga Isko. Më pas ka ardhur momenti i konferencës për shtyp, gjatë së cilës mbrojtësi ka ndarë fjalët e para me mediat spanjolle si një lojtar i Realit, ku fillimisht ka falënderuar familjen e tij.

“Familja ime është gjithçka kam dhe dua t’i falënderoj që jam këtu, në veçanti prindërit e mi”, ka thënë lojtari më i ri i “Los Blancos”.

BARCELONA DHE FANELLA – Rydiger ka bërë me dije se mes skuadrave që e kanë kontaktuar ka qenë edhe Barcelona. Por ai e kishte marrë vendimin për t’iu bashkuar Realit.

“Në kohë merkatoje shfaqen agjentë e skuadra të shumta. Di të them se edhe Barcelona ka pasur interes për të firmosur me mua. Por që ditën e parë që e kisha vendosur për t’u larguar nga Çelsi i kam thënë agjentit tim ose Realin, ose asnjë klub tjetër.

Sa për fanellën të gjithë e dini se më pëlqen numri 2, por atë e ka Dani Karvahal. Klubi më ofroi numrin 12 dhe 22, unë zgjodha të dytin”.

DIFERENCAT ME ÇELSIN – “Nuk dua të bie në diskutime që do të lëndonin klubet ku kam luajtur. Unë di të them se çdonjëra nga skuadrat me të cilat kam luajtur në karrierën time kanë qenë shumë të rëndësishme për mua. Në Madrid e di se do të ketë shumë presion, por jam gati, mezi pres të nis këtë aventurë të re”.

14 CHAMPIONS – “Presidenti Perez më ka shoqëruar në kabinetin e trofeve të Realit. Me të vërtetë ata bëjnë shumë përshtypje, të krijojnë një tjetër ndjesi. Këta trofe tregojnë një gjë të thjeshtë, vizionin e këtij klubi vetëm për të fituar”.

KLASIKJA – “Di që do të luajmë në Las Vegas. Do të jetë një miqësore vere, por unë dua ta fitoj, nuk më intereson nëse vlen shumë apo pak. Për mua mbetet një klasike. Më shumë më pëlqen ta shijoj në fushë këtë përballje se në TV”.

ROLI I FAMILJES – “Ata janë të gjithë të lumtur dhe të gëzuar, sepse e kanë të qartë se ku kam ardhur e se çfarë klubi është Reali. Ndoshta familja ime e njeh pak futbollin, por e njeh shumë Madridin”.

BISEDA ME ANÇELOTIN – “Ma bëri të qartë se mund ta ndihmoj shumë Realin, por unë e di se do të kem konkurrencë”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI